×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Ku me gjetë ksi burra në Kosovë!”- Ky është gjyqtari nga Ferizaj që promovon dhunuesit e grave në Kosovë- Gjykata nis hetimet

    Insajderi
    17 April 2024 - 16:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në kohën kur është duke u luftuar në çdo mënyrë dhuna ndaj grave në Kosovë si pasojë e rritjes së frikshme të rasteve të kësaj dukurie, qohet një gjyqtar i cili paguhet për t’i luftuar këto dukuri dhe iu jep zemër dhunuesve duke i lavdëruar për burrëri me fjalët: Ku me gjetë ksi burra në Kosovë!. Ai është Bahri Salihu që ushtron që disa vite profesionin e gjyqtarit në Ferizaj. Kryetari i Gjykatës në Ferizaj ka nisur hetimet fillestare ndaj tij. Insajderi sjell detajet.

    Gjyqtari i Gjykatës Themelore të Ferizajt, Bahri Salihu përmes një komenti skandaloz që ka bërë publikisht në rrjetin social Facebook ka promovuar dhunën ndaj gruas. Ndonëse si pjesë e organit më të rëndësishëm për luftimin e dhunës ndaj grave, gjyqtari Bahri Salihu u ka dhënë zemër dhunuesve që të ushtrojnë dhunë ndaj grave në rast se ato nuk iu binden.

    Komenti skandaloz i tij është bërë në një lajm që raporton dhunën ndaj një gruaje nga Peja. Viktima kishte raportuar në polici se bashkëshorti i saj nuk e ka lejuar që të hyjë në shtëpi pasi ajo kishte shkuar në iftar me kolegët e punës. Burri i saj u arrestua e më pas u lirua në procedurë të rregullt.

    Ky burrë nga Peja ka marrë përkrahje nga gjyqtari ferizajas, Bahri Salihu. Madje ai e ka falënderuar publikisht për komentin mbështetës që i ka bërë.

    Ku me gjetë ksi burra në Kosovë! Edhe unë nuk e kisha miratu kët shetitje të gruas nëpër iftare të hamamit” nis komentin gjyqtari Bahri Salihu duke lavdëruar të dyshuarin për dhunën që i ka shkaktuar gruas së tij.

    Tutje, ai thotë se ‘gruaja duhet me pas mend vet e mos me ngushtu burrin me shku në iftar me kolegë’.

    Sipas tij, dalja e gruas në iftar me kolegë të punës është diçka e pamoralshme.

    Edhe pse si gjyqtar, atij nuk i takon të komentoj edhe aspektin fetar, ai lëshohet edhe me komente fetare si “Mbane more fenë qysh ka qenë para luftës, se mas luftës nuk është tu pasë hjeshi asgjë!”.

    E në fund ai i quan edhe ‘berlloga’ kolegët e tij të punës- në këtë rast gjyqtarët e tjerë që ushtrojnë këtë veprimtari në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

    Komenti i plotë i tij në Facebook:

    Ku me gjetë ksi burra në Kosovë! Edhe unë nuk e kisha miratu kët shetitje të gruas nëpër iftare të hamamit. Gruaja duhet me pasë mend vet edhe mos me ngushtu as burrin. Çfar bërlloga kam unë në punën ku punoj, kurrë nuk e kisha lënë gruan me shku askund e lërë më në iftare të hamamit, se janë tranu krejt shqiptarët. Mbane more fenë qysh ka qenë para luftës, se mas luftës nuk është tu pasë hjeshi asgjë!”

    Ky është profili i tij në Facebook:

    Në komentin e tij është lajmëruar dhunuesi Bajram Galani, i cili thotë se është personi që nuk e ka lënë gruan të hyjë në shtëpi.

    Ai i ka replikuar ne koment gjyqtarit duke e falënderuar dhe respektuar.

    Qe ku jom respekt per komentin”, shkruan ai.

    Insajderi ka provuar të kontaktoj gjyqtarin Bahri Salihu gjatë ditës- por i njëjti I ka ikur Gazetës duke mos u përgjigjur lidhur me komentin skandaloz që ka bërë.

    Në biografinë e tij në faqen zyrtare të Gjykatës Themelore të Ferizajt, shkruhet se Bahri Salihu është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Kundërvajtje të Gjykatës Themelore të Ferizajt dhe gjyqtar përgjegjës i Divizionit për Kundërvajtje.

    Lidhur me rastin- Gjykata Themelore e Ferizajt ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se Kryetari i Gjykatës ka ndërmarr veprimet fillestare për të hetuar rastin.

    Kryetari i Gjykatës si Autoritet Kompetent, sipas detyrës zyrtare ka ndërmarrë veprimet fillestare dhe pas vlerësimit të tyre do të ndërmerr edhe veprimet tjera konform Ligjit për Përgjegjësin Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë Insajderit.

    Gazeta po ashtu ka njoftuar edhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës lidhur me rastin por deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark