×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kuletës së shtetit i merren edhe 164 mijë euro për marrjen me qira të 294 veturave nga institucionet

    Insajderi
    16 July 2023 - 21:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mosplanifikimi i duhur për blerjen e veturave për institucionet, ka detyruar Agjencinë Qendrore të Prokurimit të nënshkruaj edhe një kontratë për vazhdimin e shfrytëzimit të veturave me qira.

    Një kontratë në vlerë prej 164 mijë eurove është nënshkruar këtë javë, nga AQP-ja, për marrjen me qira të 294 veturave edhe për dy muaj.

    Nga buxheti i shtetit deri më tash janë paguar miliona euro, për shfrytëzimin e këtyre veturave nga institucione të ndryshme, derisa në të njëjtën kohë është hapur edhe thirrja për tender, për blerjen e veturave.

    Praktika e marrjes së veturave me qira, është tash e shumë vite, në Kosovë derisa AQP-ja, kishte të nënshkruar kontratë me po të njëjtën kompani për shfrytëzimin e mbi 350 veturave, për 5 vite e gjysmë, kontratë e cila ka skaduar këtë muaj.

    Nga lëvizja FOL thonë se mosmenaxhimi i duhur, po kushton me dëmtim të buxhetit, derisa thonë se blerja e veturave do të mund të ndodhte edhe më herët.

    “Nga ajo çfarë për një kohë të shkurtër arrita me i pa të gjitha këto, vërtet mund të them se është një keqmenaxhim në këtë aspekt, sepse të gjitha institucionet në këtë rast edhe AQP-ja e ka pasur të ditur se kur i përfundon kontrata për veturat me qira që i kanë marr institucionet tona, dhe e kanë pasur mundësinë që përgatitjet për hapjen e një tenderi për blerjen e veturave të e bëjnë shumë më herët”, ka thënë Mexhide Demolli- Nimani – Lëvizja FOL.

    E nga Instituti i Kosovës për drejtësi, thonë se më ideale është që institucionet publike, të i marrin veturat me qira, sesa të i blejnë për shkak se mirëmbajtja e tyre është e kushtueshme.

    “Është shumë e rëndësishme që këto procedura të tenderimit, të jenë të drejta, të hapura dhe të paanshme në mënyrë, që d.m.th vetëm ata që i plotësojnë kriteret kushtet njëfarë mënyre të fitojnë këtë tenderë, dhe pastaj i njëjti të zbatohet në bazë të asaj që përcaktojnë procedurat. Në anën tjetër është e vërtet që në këtë rast njësia qendrore e prokurimit, institucionet publike e vlerësojnë nëse është më mirë për të blerë vetura të reja, apo për të marr me qira, ne kemi parë në rastet që kur merren me qira është e vërtet që institucionet në rastet kur nuk kanë obligime për mirëmbajtje ndoshta ndonjëherë do të mund të jenë më efektive, mund të jenë më shumë që e ruajnë paranë publike”, tha Ehat Miftaraj – IKD.

    Agjencia Qendrore e Prokurorimit gjatë muajit qershor ka hapur thirrjen për tenderë, në vlerë prej 7 milionë eurove, për blerjen e 240 veturave për institucione të ndryshme të Kosovës. Sipas dosjes së tenderit, më shumë vetura do i dedikohen Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, KGJK-së e KPK-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark