Profesori i Fakultetit Juridik, Kolë Krasniqi, ka komentuar çështjet juridike që lidhen me procesin e zgjedhjes së presidentit në vend.
Sipas Krasniqit, për të zhvilluar seancën për zgjedhjen e presidentit është e domosdoshme që të ketë të paktën dy kandidatë.
Ai theksoi se, nëse procedura e votimit konsumohet dhe presidenti nuk zgjidhet pas tri raundeve të votimit, atëherë kuvendi duhet të shpërndahet menjëherë.
“Në rast se dështon zgjedhja e presidentit sipas rregullimit tonë kushtetues, duhet të ketë dy kandidatë. Nëse zhvillohen tri raunde votimi dhe presidenti nuk zgjidhet, atëherë kuvendi shpërndahet menjëherë”, u shpreh Krasniqi për Insajderin.
Ai shtoi se, nëse procedura fillon sipas rregullimit kushtetues dhe rregullores së parlamentit, procesi mund të zgjasë deri në 60 ditë. Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit, atëherë parlamenti shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda 45 ditëve.
Sipas tij, në raundin e tretë të votimit kërkohen të paktën 61 vota pro për zgjedhjen e presidentit.
“Nëse plotësohen kushtet dhe janë dy kandidatë, atëherë është përmbushur kushti kushtetues dhe ligjor për procedimin e zgjedhjes së presidentit. Kushtetuta jonë e parasheh detyrimisht që të ketë dy kandidatë. Nëse ata votohen dhe asnjëri nuk i merr votat e nevojshme në tri raunde, atëherë edhe në raundin e tretë duhet të ketë 61 vota pro. Nëse kjo nuk ndodh, kuvendi shpërndahet menjëherë”, theksoi ai.
Për më shumë detaje, ndiqni videon në vazhdim: