Insajderi
Lajme

Kurti alarmoi për ushtrimet e parashutistëve afër kufirit, KFOR: Ishim të informuar nga Serbia, s’ka kërcënim për sigurinë

Insajderi
20 March 2026 - 19:08
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kurti alarmoi për ushtrimet e parashutistëve afër kufirit, KFOR: Ishim të informuar nga Serbia, s’ka kërcënim për sigurinë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me ushtrimet e zhvilluara në afërsi të brezit kufitar të Kosovës nga parashutistët e ushtrisë së Serbisë, duke i cilësuar ato si provokim dhe shfaqje të rrezikshme të agresionit.

Lidhur me deklaratat e kryeministrit, nga KFOR kanë treguar për Gazetën Express se Serbia i kishte informuar paraprakisht për mbajtjen e këtij trajnimi në fshatin Muhovc.

KFOR ka theksuar se aktiviteti është kryer brenda territorit të Serbisë dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin rajonal.

“Mund të konfirmojmë se KFOR-i u informua se Forcat e Armatosura Serbe (FAS) do të kryenin një aktivitet të planifikuar trajnimi që përfshinte parashutistë të vendosur nga një helikopter në fshatin Muhovc, Serbi. Ky është një aktivitet rutinë i kryer brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin në rajon”, ka thënë një zëdhënës i KFOR’it.

Ai ka shtuar se “Misioni KFOR i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën përgjatë Vijës Kufitare Administrative dhe në të gjithë Kosovën, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm dhe koordinim efektiv me autoritetet lokale të sigurisë dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe. KFOR-i mbetet plotësisht i përkushtuar për zbatimin e mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt (SASE) dhe liri lëvizjeje për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë, pjesërisht dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se ushtrimet në afërsi të vijës kufitare përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit.

“Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga njësia e brigadës 63 të parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Kosovën, përbëjnë shfaqje të rrezikshme të agresionit”, ka deklaruar Kurti.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark