Ishte prilli i vitit 2019, kur Albin Kurti kishte nisur tubimet me qytetarë në Komunën e Vushtrrisë kundër Qeverisë së Haradinaj dhe ku kërkonte zgjedhje të reja.
Me fushatën e titulluar ‘kundër PAN Hajnisë’, Kurti nga Vushtrria kishte goditur politikanët shqiptarë të cilët besojnë në mbështetjen e Amerikës, duke i quajtur si të korruptuar.
“Si ta nini një politikan shqiptar që thotë Amelika, Amelika, dine që është i korruptum”, kishte thënë Kurti.
Por, ndryshe nga atëherë, sot kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një konferencë të përbashkët me Gabriel Escobar, të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor.
Kurti sot theksoi se ata që janë në anën e Amerikës, janë në anën e së vërtetës.
“Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër. E mirëpresim gjithmonë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces. Me SHBA-të jemi aleatë në vlera dhe partnerë në qëllime. Rreshtimi i Kosovës me Amerikën përbëjnë dëshminë e partneritetit tonë dhe dallimin me ata që nuk u rreshtuan në anën e së vërtetës dhe të drejtës”, përfundoi Kurti.
Në videon e mëposhtme mund t’i dëgjoni dy deklaratat e kryeministrit Kurti për Amerikën.