×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti flet për Asociacionin: Dishepulli i Sheshelit, Vuçiq, po kërkon ta bëjë Kosovën shtet jo-funksional

    Insajderi
    17 October 2023 - 23:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, të martën ka mbajtur një ligjeratë në Konferencën e Paqes: Demokracia kundër autokracisë.

    Aty Kurti, ndër tjerash ka folur për demokracinë dhe përballjen e këtyre vlerave me autokracinë në nivel global. Në këtë kontekst Kurti foli edhe për situatën rajonale në Ballkanin Perëndimor.

    Saktësisht, kritikoi Serbinë për përpjekjen e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Për kreun e ekzekutivit kosovar, Albin Kurti ka një synim të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që ta instalojë një etnitet juridiko etnokratik brenda Kosovës.

    ”Aleksandar Vuçiq, dishepull i Vojslav Sheshel dhe ministër i informacionit (që do të thotë propagandë) i Sllobodan Millosheviçit gjatë viteve të 1990-ta, kërkon të instalojë një entitet juridiko-politik etnokratik brenda Kosovës, në mënyrë që ta bëjë republikën tonë një shtet jofunksional. Ai nuk beson në idenë e qytetarisë liberal-demokratike”, ka thënë Kurti.

    ”Kjo është arsyeja pse në të njëjtën kohë që ai dëshiron instalimin dhe kontrollin e një entiteti të tillë brenda Kosovës, qeveria e tij po zbaton një spastrim etnik administrativ të komunave me shumicë shqiptare në Serbinë jugore duke fshirë adresat e banimit të shqiptarëve vendas nga regjistrat komunal”.

    Më pas Kurti ka thënë se problemi Kosovë – Serbi mund të cilësohet si periferik në betejat e mëdha globale.

    ”Në përplasjen globale midis demokracisë dhe autokracisë që po dëshmojmë tani, betejat e vogla në periferi mund të duken se nuk kanë shumë rëndësi. Sidoqoftë, kjo është një përshtypje që nuk vërtetohet nga dëshmitë historike. Historia mëson, përkundrazi, se dështimi për të mbajtur një qëndrim parimor kundër autokratëve në një teatër të vogël të politikës botërore (siç mund të jenë të prirur ta shohin disa Ballkanin Perëndimor) mund të përshpejtojë lehtësisht kriza globale shumë më të mëdha. Historia moderne e Ballkanit e ka ilustruar këtë në shumë raste, ku më dramatike është shpërthimi i Luftës së Parë Botërore. Unë besoj se ne demokratët duhet të bëjmë shumë më tepër për tu koordinuar përtej kufijve ndërkombëtarë, në mënyrë që t’i ofrojmë njëri-tjetrit solidaritetin shumë të nevojshëm, ndërkohë që përballemi me kthimin e ekstremit të djathtë autoritar, qoftë në vendet tona apo në ato fqinje. Përderisa sigurisht se ka rëndësi që ne kemi një nivel të lartë moral, kjo është e pamjaftueshme. Ajo që na duhet është ta kthejmë këtë nivel kaq të lartë moral në nivel politik. Dhe kjo kërkon përpjekje të organizuara”, ka deklaruar Kurti.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark