Kurti fluturon drejt Brukselit për takimin me Vuçiqin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kurti fluturon drejt Brukselit për takimin me Vuçiqin

    Insajderi
    20 November 2022 - 14:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar për në Bruksel, ku pritet të ndodhë takimi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Kurti sot është detyruar të dal në mes të takimit të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve – me rastin e Ditës Botërore për të Drejtat e Fëmijëve, duke thënë se do të udhëtojë jashtë vendit.

    Takimi mes palëve pritet të nisë nesër rreth orës 08.00 në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashihet të fillojë zbatimi i fazës së dytë për regjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë prej 150 euro.

    Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes dy vendeve, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Ndryshe, më 18 nëntor zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një takim për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.

    “Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi – që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen”, ka thënë Stano, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për regjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

    Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

    Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, shkruan Gazeta Insajderi.

    Besohet se në Kosovë janë rreth 10 mijë makina me targa serbe.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për regjistrimin për targat.

    SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.

    “Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Christopher Hill për televizionin N1.

    Serbët ishin integruar në institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, pasi Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian./Gazeta Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark