×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kurti gjatë takimit me Xhaferin: Të jemi të kujdesshëm, teksa nuk frikësohemi

    Insajderi
    04 March 2022 - 16:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka folur për nevojën e koordinimit të politikës së jashtme në linjë me orientimin euroatlantik të të dyja vendeve dhe në raport me aleatët ndërkombëtarë, pas kontekstit aktual politik dhe gjeopolitik të rënduar pas ngjarjeve në Ukrainë.

    Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti ka thënë se është tejet e vlefshme që qëndrimet e të dy shteteve të forcohen me bashkëpunim të ndërsjellë.

    “Duhet të jemi të kujdesshëm, teksa nuk frikësohemi”.

    Nga ana tjetër, Xhaferi tha se beson që këto zhvillime kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e Bashkimit Europian dhe NATO-s për të përshpejtuar procedurat e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor që janë në këto procese.

    Gjatë takimit u ngrit shqetësimi për militarizimin e Serbisë dhe kërcënimin që paraqet kjo për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

    Kurti theksoi se këtë situatë e rëndon mohimi i njohjes së Kosovës nga Serbia, mohimi i krimeve të kryera nga Serbia në luftën e viteve 1998-1999, si dhe refuzimi i Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

    “Këtë pranverë në mbarë Kosovën përkujtohen përvjetorët  e masakrave të kryera nga Serbia mbi popullatën civile”, ka thënë Kurti.

    Gjithashtu, në takim u bisedua për progresin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e përbashkët në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e mbajtur më 16 shtator 2021 në Shkup.

    Kurti dhe Xhaferi biseduaa edhe për rrugën Prizren-Tetovë dhe përshpejtimin e punimeve për të mundësuar ndërlidhjen infrastrukturore dhe për të lehtësuar komunikimin mes dy vendeve

    Kurti shprehu vullnetin e Qeverisë e Kosovës për të rritur koordinimin ndërinstitucional dhe për të thelluar më tej raportet ndërshtetërore miqësore. Ndërkaq, Xhaferi shprehu mbështetjen e pa rezervë të Republikës së Maqedonisë së Veriut për synimet e Republikës së Kosovës, dhe për të gjitha nismat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ai tha se pikëpamjet dhe pikësynimet e të dy vendeve janë të përbashkëta.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark