×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti i ashpër ndaj Vuçiqit: I obsesionuar me Adem Jasharin, dëshironte ta shndërronte manastirin në “Kullë të Jasharajve”

    Insajderi
    26 September 2023 - 22:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas deklaratave të tij për komandantin legjendar, Adem Jashari.

    Kurti, me anë të një postimi në ‘facebook’ ka thënë se Vuçiq është i obsesionuar me komandantin legjendar, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen”, ka thënë ai.

    “Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë”, shtohet më tej në postimin e tij.

    Vuçiq pak ditë më parë pati kritika pse ndërkombëtarët i referoheshin Adem Jasharit si luftëtar lirie.

    “Kur Serbia shkoi në Drenicë që të qerojë hesapet me ata që donin ndaheshin nga shteti i njohur ndërkombëtarisht (Jugosllavia), ata (ndërkombëtarët) thanë se ata janë luftëtarë të lirisë të udhëhequr nga Adem Jashari e jo nga terroristët. Duket  që vetëm serbët janë terroristë gjithmonë”, deklaroi përplot viktimizim Vuçiqi. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark