Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për Bekim Sejdiun si kandidat për President mbetet ende e vlefshme, pavarësisht se vetë Sejdiu kishte njoftuar se tërhiqet nga kandidatura, pasi nuk kishte marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve të LDK-së.
Pas kësaj deklarate të Kurtit ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e thirrjes në këtë marrëveshje, duke theksuar se vetë kandidati është tërhequr.
“Si mund të thirret dikush në një marrëveshje kur vetë personi i përfshirë në atë marrëveshje është tërhequr nga kandidatura?!”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka deklaruar gjithashtu se një dakordim mes dy kryetarëve të partive “nuk mund të shndërrohet në urdhër për deputetët e Kuvendit”.
“Kushtetuta është shumë e qartë: deputetët, si përfaqësues të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi. Marrëveshjet politike mund të ndryshohen. Ne jemi gati të votojmë një kandidat nga Lidhja Demokratike të Kosovës, sepse vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve. Ne zgjedhim “zgjedhjet e reja” në vend të nënshtrimit politik”, ka thënë Hoti.
Në fund, Hoti ka theksuar se marrëveshjet politike mund të negociohen, por Kushtetuta e Kosovës, sipas tij, nuk mund të negociohet.
“ MARRËVESHJET POLITIKE MUND TË NEGOCIOHEN, POR JO KUSHTETUTA E KOSOVËS”, ka përfunduar Hoti.