×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kurti kërkon “mirëbesim” nga Vuçiq për zbatimin e marrëveshjeve

    Insajderi
    27 February 2023 - 12:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për portalin evropian “Euractiv” thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi është e mundshme “deri në fund të vitit” ndërsa për zbatimin e marrëveshje të kaluara ku përfshihet edhe Asociacioni ai thotë se duhet të krijohet “mirëbesim” që ato të jenë të zbatueshme, shkruan Insajderi.

    Ajo çfarë ka mbetur për t’u negociuar “është mekanizmi i zbatimit [të marrëveshjes], garancionet ndërkombërtare, sekuencimi i asaj se ‘çfarë, si dhe ku’”, për çka shprehte se “nuk do të jetë fare e lehtë”, kishte thënë Kurti në intervistën e realizuar gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.

    Pyetur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Kurti megjithatë shprehet i paqartë. Në njërën anë thotë se presidenti serb përmes saj dëshiron krijimin e një “Republike Serbe” në anën tjetër nuk e përjashton zbatimin e saj si pjesë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve paraprake, pikë kjo e cila është e përfshirë edhe në propozimin “merre ose lëre” evropian, e të cilën ai e ka “marrë”.

    “Kryesisht, ai [Vuçiq] do të dëshironte ta përdorte Asociacionin e Komunave Serbe si emër të ri për një Republikë Serbe”, i ka thënë Kurti portalit evropian.

    Mirëpo, në mënyrë që Asociacioni dhe marrëveshejt paraprake të zbatohen, Kurti kërkon nga Vuçiq “mirëbesim”.

    “Në anën tjetër, shpresoj se kur t’i hapim bisedimet, duke u mbështetur në propozimin e BE’së, ne do ta ngrisim nivelin e besimit, sepse marrëveshjet nuk janë të zbatueshme nëse nuk ka besim, prandaj na duhet një nivel bona fide (mirëbesimi)”, ka thënë Albin Kurti, përcjell Insajderi.

    “Nënshkrimi i marrëveshjeve dhe zbatimi i marrëveshjeve në Ballkan kanë qenë dy planetë të ndryshëm dhe ne duhet t’i sjellim në të njëjtin kontinent. tha ai, duke shtuar se “dy të tretat e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel gjatë dekadave të mëparshme, nuk janë zbatuar nga Serbia”.

    Propozimi aktual i BE-së, tha Kurti, do t’i referohet “pakicave kombëtare” në preambulën e tij dhe koncepteve universale si pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti, reciprociteti, të drejtat e njeriut, demokracia, sundimi i ligjit dhe vetëvendosja.

    “Ajo që më bën optimist është fakti se disa koncepte dhe nocione universale janë përdorur në këtë propozim në ndryshim nga dekada para ardhjes sime në pushtet, ku 33 marrëveshjet bazoheshin më shumë në ideologjinë e zgjidhjes së problemeve,” tha ai.

    Ai tha se propozimet e mëparshme ishin shumë komplekse dhe të detajuara dhe për këtë arsye të vështira për t’u shitur për publikun, ndërsa ai i fundit ka vetëm një pengesë të madhe.

    “Një nga 33 marrëveshje nuk e kaloi testin e kushtetutës sonë, sepse ajo përmendet si një asociacion mono-etnik”, tha Kurti, duke iu përgjigjur presionit në rritje nga BE-ja dhe SHBA-ja për të krijuar asociacionin e komunave me shumicë serbe./Insajderi/

    “EURACTIV zhvilloi intervistën në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark