×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kurti kritikon Escobar-in: Në Beograd nuk e kërkoi njohjen, por në Kosovë Asociacionin

    Insajderi
    27 January 2023 - 16:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar emisari special të ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të cilin tha se është dashur që në Beograd të thotë “Serbia duhet ta njohë Kosovën pavarësisht Presidentit të Serbisë” e jo në Kosovë të thotë “Asociacioni duhet të bëhet pavarësisht Kryeministrit të Kosovës”.

    Këtë koment ai e bëri në një intervistë me Radion Evropa e Lirë, ku tha se as që e kanë thirrur në takimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë më 31 janar ku do të diskutojnë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Madje edhe ky takim Kurti tha se ka ardhur si si “pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”.

    “Unë kam pritur që ai [Gabriel Escobar] në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, ka thënë Kurtit.

    Kurti tha se Asociacioni njëetnik çfarë kërkohet “nuk është as i qëndrueshëm, as i zabuteshëm e natyrisht as i pranueshëm”.

    “Unë jam për asociacione që janë zhvillimore, demokratike, mbi vlerat evropiane e jo mbi baza etnie, jo etnia të jetë baza e Asociacionit të komunave”, tha ai.

    Pyetur për deklarimit e Escobar se “mund të diskutohet me partnerë alternativë” për themelimin e Asociacionit, ai tha se “unë i di shumë gjëra” por për këtë çështje “duhet pyetur Escobari”.

    “Ata të cilët flasin ditë e natë për Asociacionin ndërkohë kur Serbia të thotë se s’të njeh asnjëherë, për besë i ndihmojnë asaj. Nuk është fer [e drejtë] ndaj popullit shumë të vuajtur të Kosovës. Nuk mund të nxirret qerrja para kalit. Njohja reciproke është në qendër. Presidenti [Joe] Biden ka thënë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që e ka në qendër njohjen reciproke”.

    “Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan. Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera dhe ne do të duhej që shtetin tonë, atdheun tonë, ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai”, ka thënë Kurti.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark