×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti: Liridona Ademaj u vra se ishte grua, arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton

    Insajderi
    03 December 2023 - 17:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri Albin Kurti shkroi se “normat shtypëse patriarkale janë të shpërndara gjerë” dhe se “arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton, në një reagim në Facebook lidhur me vrasjen makabre të 30-vjeçares Liridona Ademaj.

    Kurti shkroi se kryesit e krimeve nuk po marrin dënime meritore dhe kësisoj “barra e padrejtësive të sistemit” po bie “mbi supet e grave dhe vajzave”.

    “Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë. Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”, shkroi Kurti.

    “Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin. Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi”, shtoi ai.

    Kurti tha se “për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend.

    “Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu”, shkroi Kurti.

    “E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, shkroi kryeministri në reagimin e tij Facebook.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark