×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kurti nga Parada e Krenarisë: Do ta bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën tjetër të kalojë në Kuvend

    Insajderi
    10 June 2023 - 19:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se pjesëmarrjen në Paradën e Krenarisë, aktivistëve dhe përfaqësuesve të organizatave ua ka premtuar qysh të hënën.

    Ai tha se në Kosovë, të gjithë duhet të jenë barabartë dhe secili duhet ta ketë të garantuar e të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin.

    “Për komunitetin LGBTI, shteti dhe shoqëria duhet t’i mbrojë dhe të mësojë për ta. Me këtë rast, unë shpreh indinjatën time për numër të madh të abuzimeve, kërcënimeve dhe diskriminimeve që përjetojnë ky komunitet”.

    “Ju e dëgjuat se si në mënyrë krenare bënë thirrje për barazi e liri, e aty ku thërrasin për barazi e liri jam edhe unë si kryeministër, sepse Republika jonë ndryshe s’ka kuptim”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

    Tutje, kreu i qeverisë tha se ata do ta bëjnë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në kuvend.

    “Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në kuvend. Edhe për nga vullneti dhe programi qeveritar, e edhe nga puna, nuk e kursejmë veten”, tha Kurti.

    Kujtojmë se në mars të vitit të kaluar, Parlamenti i Kosovës nuk e miratoi në parim Kodin Civil mes kundërshtimesh dhe debatesh të rrepta për shkak të mospajtimeve me një pjesë të këtij Kodi që synon t’i hap rrugë rregullimit të martesave edhe ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

    Në Kodin Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”, ndërsa në nenin tjetër të këtij Kodi theksohet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

    Këto nene nxitën kundërshtime të forta gjatë debatit në parlamentin e Kosovës, ku 29 deputetë votuan kundër, 28 pro ndërsa katër abstenuan.

    Mes më të zëshmëve kundër kësaj pjese të Kodit Civil ishin disa deputetë të LVV-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark