
Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Në të, si zakonisht, ka mbajtur fjalim kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ai foli edhe për ambiciet e partisë në lidhje me zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. “Sikur” për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë e kanë bërë “për marifet”.
Përkundrazi, që nga 15 prilli, Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seanca çdo 48 orë. Shkaku kryesor i kësaj dinamike është përpjekja e këtij subjekti politik për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit. Deri tani janë bërë gjithsej 11 tentativa, shkruan Insajderi.
E gjithë kjo për faktin se, edhe përkundër negociatave me përfaqësuesit e subjekteve politike joshqiptare, Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë 61 vota “për”.
Por, mesa duket, kryeministrit Kurti nuk po i bëhet shumë vonë për këtë çështje.
Ai sot ka deklaruar se në javët dhe muajt në vijim, fokusi kryesor i partisë së tij do të jenë zgjedhjet lokale. Kurti theksoi rëndësinë e qeverisjes së mirë në nivelin komunal dhe tha se ndryshimi i arritur në qeverisjen qendrore duhet të reflektohet edhe në komunat e vendit.
“Komunat duhet të kenë qeverisje që sigurojnë investime për qytetarët dhe që nuk keqpërdoren për interesa partiake ose të grupeve të tjera ekonomike,” tha Kurti, duke shtuar se prioriteti i qeverisjes lokale duhet të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe ndërtimi i një bashkëpunimi efektiv me institucionet qendrore.
Ai u shpreh se roli i komunave është kyç në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, pasi, siç tha ai, “jeta zhvillohet në komunë”, prandaj edhe investimet duhet të drejtohen aty ku janë më të nevojshme.
“Jeta zhvillohet në komunë, e komunat tona kanë mbetur prapa në zhvillim. Së bashku duhet të punojmë për programe për secilën komunë që sjellin ndryshim cilësor në çdo fushë dhe për çdo shtresë e moshë. Për një mandat katërvjeçar duhet të ndahen dy miliardë euro investime në komuna, pra 500 milionë euro në vit, në të gjitha komunat. Diaspora jonë tashmë ka vite që investon në komunat prej nga vjen. Shtëpitë dhe oborret e bukura të ndërtuara nga mërgata jonë, nga bashkatdhetarët tanë, do të përcillen me investime në shërbime, infrastrukturë dhe parqe nga komunat, në mënyrë që diaspora jonë të kthehet jo vetëm në moshën e pensionimit, por edhe shumë më herët dhe shumë më shumë – për investim dhe jetesë. Komunat ku qeveris Lëvizja VETËVENDOSJE! janë shembull i qeverisjes për interesin e qytetarit, jo të partisë apo oligarkisë. Prandaj duhet të angazhohemi që të fitojmë kudo, sa më shumë, në çdo cep të çdo komune”, ka deklaruar Kurti.