Insajderi
Lajme

Kurti pas takimit me komunitetet: Do të vazhdojmë përpjekjet për t’i evituar zgjedhjet e reja

Insajderi
02 September 2026 - 22:03
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kurti pas takimit me komunitetet: Do të vazhdojmë përpjekjet për t’i evituar zgjedhjet e reja
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk po e respektojnë marrëveshjen e arritur mes dy partive për zgjedhjen e presidentit.

Kurti ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e grupit multietnik, i cili ishte aranzhuar më herët. Ai tha se gjatë këtij takimi i ka njoftuar përfaqësuesit për bisedimet dhe marrëveshjen me LDK-në, si dhe për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.

“Ata ndajnë keqardhjen me të gjithë neve që kjo nuk po mund të realizohet, për shkak se gjashtë deputetë nga LDK-ja nuk e respektojnë këtë marrëveshje”, tha Kurti.

Ai theksoi se LVV-ja do të vazhdojë përpjekjet për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Do të vazhdojmë të ecim tutje duke u përpjekur t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, deklaroi Kurti.

Kreu i LVV-së tha se, pavarësisht zhvillimit negativ të ditës së djeshme, marrëveshja me LDK-në ka sjellë progres sa i përket numrit të votave për zgjedhjen e presidentit.

“Dje pasdite ndodhi një zhvillim negativ, por kemi pasur progres dhe në këtë legjislaturë jemi më mirë sesa në të kaluarën sa i përket numrit të votave për president. Feride Rushiti ka pasur 64, tash Bekim Sejdiu ka 74”, tha ai.

Kurti bëri të ditur se do të zhvillojë konsultime të brendshme me kryesinë e Vetëvendosjes.

Ai tha gjithashtu se gjatë takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, është njoftuar për situatën aktuale brenda kësaj partie, ndërsa edhe ai e ka njoftuar Abdixhikun për zhvillimet brenda VV-së.

“Ne vazhdojmë të jemi optimistë, ndonëse situata është më e vështirë se përpara. Shohim çfarë mund të bëjmë në ditët në vijim”, ka theksuar Kurti.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark