×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kurti përmbyll vizitën dy-ditore në Britani të Madhe, nesër takon tre policët kosovarë që u kidnapuan nga Serbia

    Insajderi
    27 June 2023 - 18:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për mbarim të vizitës së tij dy-ditore në Britaninë e Madhe.

    Një gjë të tillë e ka njoftuar vetë Kurti me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka rikujtuar takimet me diplomatë e krerë institucionalë të qeverisë britanike, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Gjatë këtyre dy ditëve të fundit, u mirëprita ngrohtësisht nga aleatë e partnerë të Kosovës si në ekzekutivin Britanik ashtu edhe në Parlament. Me Sekretarin e Punëve të Jashtme, James Cleverly me të cilin jam në kontakt e komunikim të rregullt, diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe, për zhvillimet në Kosovë dhe për rëndësinë e shtensionimit të plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit. Republika e Kosovës është përherë mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur e të pandërprerë të Mbretërisë së Bashkuar”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit kosovar.

    Kurti gjatë ditës së djeshme ka njoftuar për takimin me mikun e Kosovës, ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair.

    “E miq laburistë kemi edhe jashtë institucioneve por që ishin kyç aq sa i drejtonin ato. Republika e Kosova dhe populli i saj i janë përherë mirënjohës ish-kryeministrit britanik Tony Blair për rolin dhe vendosshmërinë e tij për ndërhyrjen humanitare në Kosovë e cila ndali përfundimisht gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët vendas. Në takimin miqësor që patëm e njoftova për arritjet e Kosovës në rrafshin ekonomik, social, të të drejtave të njeriut, dhe institucional, duke ndarë me të bindjen që Kosova është histori e etabluar e suksesit të dyfishtë: intervenimit të NATO-s dhe i bashkëdyzimit të progresit ekonomik dhe atij demokratik”, shkruajti Kurti.

    “Gjatë qëndrimit tim në Londër, morëm lajmin e gëzueshëm për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat speciale ushatarke e policore të Serbisë me 14 qershor. 13 ditë pas ata janë në Kosovë e me familjet e tyre. Nesër do t’i takoj për t’i falënderuar për qëndresën dhe për t’u uruar mirëseardhje”, ka thënë ndër të tjera ai. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark