Kryeministri Albin Kurti u deklarua për çështjen e presidentit që në mbledhjen e parë të Qeverisë.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë bëri një përmbledhje të situatës politike në vend, ku tha se dy palë zgjedhje sollën rezultate të njëjta, shkruan Insajderi.
“Kemi pasur dy palë zgjedhje të paarsyeshme, të kushtueshme dhe që nuk sollën rezultat tjetër. Dhjetë muaj bllokadë për të shkuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Qytetarët folën qartë para Vitit të Ri 2026. Por, barrikadim sërish për të shkuar përsëri në zgjedhje në 7 qershor 2026. Edhe një herë, qytetarët folën qartë. Në vitin 2025 shkuam në zgjedhje për shkak të barrikadimit për Kuvend e Qeveri. Ndërkaq, sivjet, në 2026 për shkak të barrikadimit për shkak të presidentit. Sot kur po flasim jemi në Kuvend të konstituaar dhe qeveri të zgjedhur”, deklaroi Kurti.
Ndër të tjera, ai përmendi edhe zërat kundërshtues në LDK, ku i bëri thirrje që të respektohet marrëveshja me LVV’në për çështjen e presidentit.
“Përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve LVV dhe LDK për kandidatin për president. Para nesh, është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim pas një procesi negociatash më të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën ditë”, tha Kurti.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i LVV-së, i bëj thirrje liderëve politikë, le ta zgjidhim çështjen e presidentit. T’i japim vendit tonë institucionet në përputhje me vullnetin qytetar dhe të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës tonë dhe siç presin qytetarët tanë. Edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sillte diçka të re, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”, tha më tej shefi i Qeverisë. /Insajderi.org/