×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Kurtin e adhuroj edhe sot”, deklarata e dëshmitarit në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

    Insajderi
    04 September 2023 - 14:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në seancën e së hënës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 20-të (me kodin 04368) është pyetur për takimin me Adem Demaçin dhe Albin Kurtin.

    Mbrojtja e Thaçit, avokati Gregory Kehoe e ka pyetur atë kur kishte shkuar bashkë me persona tjerë për të takuar Demaçin dhe se a kishte folur edhe me Kurtin si asistent i Demaçit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    ‘‘Demaçi nuk ka dalë prej zyrës (nuk kuptohet), Kurtin e adhuroj sot se është një Kryeministër shumë i mirë por nuk kam pas muhabete me Kurtin as me Demaçin. Demaçi nuk na ka pranu se e diti situatën si është dhe nuk na ka pranu’’, u përgjigj dëshmitari.

    Kur është pyetur më tej për marrëdhënien e tij me Kurtin, përgjigja ka qenë me përmbajtje të redaktuar, por veç kësaj, dëshminë e këtij dëshmitari e ka karakterizuar pjesa e ‘‘përmbajtjes së redaktuar’’ në pothuajse tërë dëshminë e tij.

    Përmbajtje të redaktuar, ka pasur edhe kur është pyetur dëshmitari për periudhën kohore të kidnapimit të të afërmit me numër 1.

    Më tej, i pyetur se në raportin ECMM të 1999-ës a kishte thënë se kidnapimi dyshohet se është bërë nga xhelozia dhe se i afërmi i tij nuk kishte pasur interes në politikë dhe se s’kishte ditur të shkruajë dhe lexojë por se kishte pasur ndikim, dëshmitari është përgjigjur “unë jo, nuk di kush e ka thënë këtë”.

    Sërish, kur u pyet se a është fakt se ai personalisht dhe i afërmi numër 2 i kishin thënë ECMM-së se rrëmbimi erdhi për shkak të nxitjes së armiqve krahinor, përmbajtja ishte e redaktuar.

    Në ndërkohë gjatë seancës, bëhej një pjesë e shkurtë publike dhe pa u kuptuar pyetja e tërësishme apo përgjigja, DhSK vendoste përmbajtjen e redaktuar.

    Dëshmitari gjatë kësaj seance ka pohuar se të afërmit numër 1 dhe numër 2 kanë paguar serbët që mos ta fusnin të afërmin numër 2 në burg dhe po ashtu i afërmi numër 1 kishte qenë i përfshirë me fshatarët tjerë për të ditur sa para donin serbët që mos t’i merrnin në burg.

    Në anën tjetër, duke u përgjigjur në pyetje e mbrojtjes së Selimit, avokatit Eric Tully, dëshmitari tha se nuk i kujtohet të ketë thënë se kidnapimi ishte bërë që të vinte shembull tek të tjerët dhe të nxiste terror mes fshatarëve.

    Po ashtu, dëshmitari tha se ai gjatë dhe pas luftës kishte qenë përkrahës i LDK-së, por se tani mbështet LVV-në.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark