‘Një ndër ankesat kryesore të qytetareve, përfshirë bizneset, ishte ndërprerja e furnizimit me energji elektrike.’, tha Berat Rukiqi, kryetar ne Oden Ekonomike të Kosovës për emisionin Indoks në Kosovë.
300 milion euro llogariten të jenë humbjet vjetore të bizneseve si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, sipas një studimi të bërë nga UBO Consulting për USAID.
‘Humbjet e mëdha të bizneseve konsistojnë dhe në dëmtim mjaft të madh të pajisjeve të ndryshme në biznese të ndryshme, gjë që është vërtetuar nga studimet që janë bërë nga USAID, Oda Ekonomike e Kosovës, e shumë institucione tjera’, shton Rukiqi tutje.
‘Shembull kompanitë që merren me përpunimin e gypave apo përpunimin e drurit gjatë ciklit të përpunimit atyre u nevojitet furnizimi i rregullt me energji elektrike, nëse ju ndërpritet furnizimi, i gjithë materiali përpunues që del për prodhim shkon dëm, ku demi prek shifra mjaft të mëdha deri në qindra mijëra euro’, sqaron ai për mënyrat se si i humbin bizneset këto mjete në Kosovë, për shkak të furnizimit jo të rregullt me energji elektrike.
Sipas raporteve të USAID, mesatarisht, një biznes në Kosovë shpenzon rreth 2,642 euro në vit për sigurimin e burimeve alternative të energjisë elektrike për furnizim, shpenzimet e karburantit dhe të mirëmbajtjes, dhe shpenzimet e tjera të lidhura me gjeneratorin dhe rreth 1.462 euro në baza vjetore për të zëvendësuar humbjet e shkaktuara nga furnizimi jo i rregullt me energji elektrike.
Kur në ekuacion hyjnë edhe shpenzimet nga luhatjet e tensionit, një biznes në Kosovë paguan mesatarisht një shtesë prej 6,086 euro për shkak të problemeve me energji elektrike, sipas raportit. Kjo shumë përfaqëson afërsisht 5 përqind të GDP-së së Kosovës.
‘Rreth 70% e totalit të energjisë elektrike në Kosovë paguhet nga bizneset dhe pikërisht janë bizneset ato që dëmtohen më së shumti’, theksoi Rukiqi në fund të intervistës.
Kosova është vendi i pestë në botë për nga sasitë e linjitit. Përkundër kësaj, energjia elektrike në vend ende varet nga termocentrale të vjetra të energjisë elektrike.
Për humbjet e mëdha të shkaktuara nga furnizimi jo-i-rregullt me energji elektrike ka reaguar edhe kompania vendore Frutex.
‘Këtë vit na është dashtë me investu në një pajisje rreth 100 mijë euro vetëm për ta stabilizuar rrymën, sepse edhe kur kemi rrymë, shumicën e rasteve nuk është rryma stabile dhe shkakton avari të ndryshme në stabilimente’, tha Shaqir Palushi, pronar në kompaninë prodhuese Frutex në Kosovë.