×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kushëriri i Besnik Bislimit, që po dyshohet për keqpërdorim të 50 mijë eurove për Luginën, dha dorëheqje nga LDK-ja

    Insajderi
    24 May 2023 - 11:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Faton Bislimi, kushëriri i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, sot njoftoi për dorëheqjen e tij nga pozita e anëtarit të kryesisë së LDK-së. I njëjti po dyshohet për keqpërdorimin e 50 mijë eurove nga 1.2 milion eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës për Këshillin Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

    Bislimi i LDK-së njoftoi largimin nga kryesia e këtij subjekti politik për çështje parimore, derisa hodhi akuza në drejtim të kryesisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi, jo atë të lartësimit të përfituesëve e tregtarëve politikë; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj, e jo atë të homazheve fallso para varreve të tyre; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të, jo atë të thirrjes me zë të shterur në këtë miqësi vetëm për poena politikë; LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve!”, deklaroi ai.

    Në kallëzimin penal e ngritur nga kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në keqpërdorimin e parë pretendohet se 50 mijë euro janë deponuar në llogarinë e kushëririt të Besnik Bislimit.

    Kompania e Faton Bislimi “Washington International Affair Institute” – po dyshohet të jetë hapur 8 muaj para ndarjes buxhetore të qeverisë.

    “Washington International Affair Institute L.L.C është kompani e hapur me datë 3 shtator 2021, pra 8 muaj para vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për transferimin e mjeteve. Kjo kompani figuron në emër të Faton Bislimit, Kushëririt të zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi dhe mik i liderëve te PVD-së i cili vitet e fundit i ka shpeshtuar vizitat në Luginë si dhe ishte shoqërues i përkohshëm i përfaqësuesve të Luginës në SHBA. Pra 50,000 euro të Fondit të Qeverisë së Republikës së Kosovës u bartën në llogari të Faton Bislimit respektivisht në kompaninë e tij Washington International Affair Institute L.L.C”, thuhet në kallëzim penal. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark