×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Ky është deputeti jo-konformisti i VV-së, që po sfidon partinë me votim kundër

    Insajderi
    10 March 2023 - 17:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura me 14 shkurt të vitit 2021 kishte fituar  mbi 50% të rezultateve. Përkitazi me këtë 58 deputet nga lista garuese e saj kishin fituar të drejtën të bëhen deputet të legjislaturës së tetë, të cilën Kushtetuta e parasheh që në versionin më të mirë të zgjas katër vite.

    Në listën garuese të prirë nga Albin Kurti, e të pasuar nga Vjosa Osmani e Glauk Konjufca, numër 69 ishte ish-asambleisti i Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani.

    Ai gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se nëse zgjedhet deputet do të angazhohet më së shumti në çështjet që kanë të bëjnë me diskriminimin në punësim.

    “Çështja për të cilat do të angazhohem më së shumti në Kuvendin e Kosovës është mosdiskriminimi në punësim. Personat me nevoja të veçanta, komunitete pakicë, grat e bartin barrën më të rëndë të diskriminimit në tregun e punës. Ata dhe ato nuk punësohen dhe kur e gjejnë një vend pune ngacmohen e shfrytëzohen nga punëdhënësi. Për këtë kategori dhe për të gjitha punëtorët e sektorit privat do të angazhohem maksimalisht gjatë këtij mandate”, kishte premtuar Rrahmani.

    Ndërkaq, i pyetur se cili komunitet i Kosovës duhet ta votojë atë dhe përse, Rrahmani ishte përgjigjur “Pres mbështetjen nga të gjithë të rinjtë dhe të rejat që besojnë se Kosova mund të bëhet një vend i jetueshëm e më përspektivë për të gjithë qytetarët e saj”.

    Por, edhe pse kemi hyrë në vitin e tretë të kësaj legjislature, Rrahmani në lidhje me çështjet e lartëcekura nuk është se ka bërë diçka për të cilën është lavdëruar apo kritikuar nga publiku.

    Në lidhje me të, më shumë është diskutuar qasja e tij jokonformiste në krahasim me kolegët e tij të grupit parlamentar.

    Ai krahas shumë deputetëve të tjerë të Vetëvendosjes kishte votuar kundër miratimit të Kodit Civil, për shkak se në të përfshihej edhe neni, në të cilin thuhej se “Bashkësit ndërmjet personave të seksit të njejtë janë të lejuara”.

    “Kjo nuk ka të bëjë me vullnetin tim politik, me angazhimin politik për të cilin jam këtu, nuk ka të bëj as me votuesit që m’kanë dërgu këtu në Kuvend më i përfaqësu. Angazhimi im politik është vetëm kur angazhohemi që në familjet tona të kemi gjysh, gjyshe, nënë, bab, grua, burrë. Kjo është tradita jonë, kjo është vlera të cilën unë e besoj, që shumë munden mos me u pajtu me këtë që unë e thom. Secili i përfaqësojmë qytetarët që na kanë pru në këtë Kuvend”, ka deklaruar ai.

    Ndryshe nga subjekti i tij politik, Rrahmani shtatorin e kaluar kishte përkrahur grevën e punëtorëve të arsimit.

    Ndërsa, mungesën e Ministrit te Punës dhe  Transfereve, Hekuran Murati në mbledhjen e Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Rrahmani e kishte cilësuar si akt të turpshëm.

    “Unë me opozitën pajtohem, asnjë arsye ministri Murati nuk ka për të mos qenë sot këtu. Janë duke cenuar integritetin e secilit deputet duke mos marrë pjesë dhe duke u lajmëruar dy minuta para orës 11:00 që nuk vjen ministri. Kjo është e turpshme. Neve po na pamundësohet me qenë funksional ky komision…”, kishte thënë ai.

    Rrahmani gjuhë të përbashkët me opozitën kishte gjetur edhe për amandamentin për ndarjen e mjeteve buxhetore për ndërtimin e depos qendrore të barnave.

    Ai kishte votuar pro këtij  amendamenti të propozuar nga deputeti i PDK-së, Isak Shabani.

    Madje, Rrahmani kishte kritikuar procesin e zgjedhjeve brenda Vetëvendosjes, ku kishte dal kundër moslejimit të disa anëtarëve për të kandiduar për pozita të caktuara.

    Në seancën e djeshme të Kuvendit ai ka kundërshtuar edhe projektligjin për fertilizimin e asistuar.

    Ashtu siç nuk kemi të drejtë askush të bëhet nënë, as fëmijëve nuk kemi të drejtë t’ua ndalojmë të kenë babë. Kështu që, nëse i shohim prej asaj perspektive, i bie që ne duke u bazuar në fatkeqësi të shumta, ku shumë burra kanë sjellje jot ë duhura, bëjnë krime dhe mbesin dhe janë gra të dhunuara për shkak të tyre, nuk besoj që duhet të bëjmë kësi lloj krahasime dhe barazime ku e stimulojmë edhe e ndihmojmë një proces krejt të kundërt të natyrës së familjes dhe asaj që e ka kriju Zoti”, thotë Rrahmani në fjalimin e tij.

    Ai ka qenë edhe deputeti i vetëm i Vetëvendosjes që kishte marrë pjesë në marshin solidarizues me popullin e Palestinës.

    “Ishim këtu më iu bashkëngjit një marshi qytetar në shenjë solidariteti me popullin e Palestinës, në mbështetje të tyre… Prezenca ime këtu e jep një mesazh cilin duhej të ishte qëndrimi i gjithsecilit në këtë pikë… Ne këtu nuk jemi as kundër Izraelit as kundër askujt, por jemi në mbrojtje të fëmijëve dhe të grave që po vriten në Palestinë e kudo tjetër në botë”, kishte deklaruar Rrahmani.

    “Kur ta përfundoj mandatin do të bëj llogari cilat kanë qenë arritjet e mandatit, nëse kam qenë pengesë, nuk do të marrë pjesë në asnjë listë zgjedhore. Nëse shoh që ka qenë i dobishëm mandati im, edhe do të angazhohem”, ka deklaruar Rrahmani./Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark