Gazeta Insajderi ka mësuar se zyrtari i lartë i Doganës së Kosovës, i cili u kërcënua rëndë gjatë ushtrimit të detyrës, është Bujar Haxhidauti. Ngjarja ndodhi pasi ai udhëhoqi një aksion verifikimi mbi një kontingjent të dyshimtë nafte, duke nxitur reagimin agresiv të përfaqësuesit të një prej kompanive më të mëdha në vend.
Dogana e Kosovës ka dënuar ashpër këtë incident, duke e cilësuar si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj autoritetit të shtetit dhe rendit ligjor.
Sipas institucionit, kërcënimi ndaj Haxhidautit ndodhi më 23 mars 2026, në momentin kur po kontrollohej dokumentacioni i një dërgese derivatesh, ku ishin evidentuar parregullsi në parametrat e transaksionit dhe vlerën doganore.
“Çdo përpjekje për të frikësuar, penguar apo ndikuar në zyrtarët doganorë përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit ligjor. Kërcënime të tilla janë absolutisht të papranueshme”, thuhet në reagimin e Doganës.
Dogana bëri me dije se presioni mbi menaxherin Haxhidauti ka qenë i drejtpërdrejtë, me qëllim ndalimin e procedurave të rregullta të kontrollit që mund të çonin në gjoba të majme apo sekuestrim të kontingjentit të naftës.
Përkundër intimidimit, Dogana ka bërë të ditur se rasti është denoncuar menjëherë në organet e ndjekjes dhe pritet një reagim i shpejtë nga Prokuroria.
Reagimi i plotë i Doganës:
Dogana e Kosovës dënon në mënyrën më të ashpër kërcënimin e rëndë të adresuar ndaj një zyrtari doganor, menaxher i nivelit të lartë, nga përfaqësuesi i autorizuar i njërit prej subjekteve të mëdha që operojnë në tregtimin me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës.
Kërcënimi ka ndodhur me datë 23 Mars 2026, kur Dogana e Kosovës ka ndërmarrë verifikime zyrtare lidhur me një kontingjent me derivate, për të cilat janë evidentuar elemente të dyshimta në dokumentacion, përfshirë parametrat e transaksionit dhe vlerën që shërben si bazë doganore për përllogaritjen e detyrimeve doganore. Në kuadër të mandatit të saj ligjor, Dogana është duke ushtruar kontrolle të plota për të garantuar zbatimin e ligjit dhe për të siguruar që çdo deklarim të jetë i saktë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Çdo përpjekje për të frikësuar, penguar apo ndikuar në zyrtarët doganorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit ligjor, autoritetit të shtetit dhe funksionimit të institucioneve publike. Kërcënime të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe nuk do të tolerohen në asnjë rrethanë. Për rastin në fjalë, Dogana e Kosovës ka bërë paraqitjen zyrtare në organet kompetente dhe pret veprim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm nga organet e ndjekjes, në mënyrë që përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore. Menaxhmenti i Doganës së Kosovës qëndron fuqishëm prapa çdo zyrtari të vet dhe garanton mbështetje të plotë institucionale për secilin vendim dhe veprim të ligjshëm, profesional dhe të bazuar në mandat. Askush nuk do të lejohet të ushtrojë presion mbi zyrtarët doganorë apo të cenojë integritetin e proceseve zyrtare përmes kërcënimit apo intimidimit.
Dogana e Kosovës do të vazhdojë pa asnjë hezitim ushtrimin e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, duke mbrojtur interesin publik, konkurrencën e ndershme dhe zbatimin e barabartë të ligjit ndaj secilit operator ekonomik, pa dallim.