Një aksion policor kundër narkotikëve ka çuar në arrestimin e një tekniku medicinal të Qendrës Korrektuese në Dubravë, i cili dyshohet për shpërndarje të kokainës.
Ngjarja ka ndodhur më 05.04.2026, rreth orës 17:00, në rrugën “2 Korriku” në Istog, ku siç mëson Sinjali, i dyshuari është ndaluar nga policia gjatë zbatimit të planit operativ “Stop Drogave”, teksa po lëvizte me një veturë Audi A6.
Gjatë kontrollit të automjetit, janë gjetur 31 qese të vogla me substancë të dyshuar narkotike, të cilat dyshohet se ishin të përgatitura për shpërndarje.
I dyshuari në këtë rast është Liridon Kuçi, i cili është i punësuar si teknik medicinal në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
Pas ndalimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë bastisur edhe banesa e tij në Istog, ku është gjetur edhe një sasi tjetër e substancës së njëjtë narkotike.
Gjithashtu janë kontrolluar edhe hapësirat e tij të punës në burgun e Dubravës, por aty nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.