Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar për ndalimin e një personi, nën dyshimet se ai ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Marrja e ryshfetit’’ dhe ‘’Zbulimi i fshehtësisë zyrtare’’.
Sipas Prokurorisë, ndalimi është bërë pas hetimeve disamujore, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës.
Insajderi merr vesh se i arrestuari është Nebi Alshiqi.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, rasti lidhet me dyshimet se informata zyrtare për prona të caktuara u janë zbuluar personave të paautorizuar në këmbim të ryshfetit.
Këto veprime dyshohet se janë kryer me qëllim të tjetërsimit të pronave, vlera e të cilave dyshohet të jetë shumë e madhe.
Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë.