Kylian Mbappe mbetet padyshim emri më i lakuar në merkaton e janarit.
Bisedimet për të rinovuar me PSG-në kanë ngecur sipas mediave franceze, gjithsesi, sulmuesi vijon të tregojë cilësitë në fushën e lojës.
25-vjeçari tregoi edhe njëherë se nuk mendon për të ardhmen, teksa dhuroi asist dhe shënoi golin e fitoren 2-0 në transfertën e Lens.
Fillimisht ai shërbeu për shokun e skuadrës, Barkola për tu ngjitur kështu në kuotën e 10 asistimeve në këtë sezon.
Mbappe konfirmoi se po kalon një moment të mirë në karrierë, pasi është i pari lojtar që shënon 32 gola dhe dhuron 10 asistime.
Gjithçka e arritur në 30 ndeshje të zhvilluara deri më tani këtë sezon, formë që natyrisht kënaq edhe trajnerin Luis Enrike.
Spanjolli i gëzohet faktit që Mbappe është gjithmonë e më vendimtar, ndërsa në daljen për mediat pranoi se është mësuar me thashethemet për largime lojtarësh dhe e ardhmja e 25-vjeçarit francez nuk i intereson aspak.
Falë 18 golave të Mbappe në kampionat, gjiganti francez hodhi një tjetër hap drejt titullit kampion. Me gjysmën e takimeve të zhvilluara, PSG numëron 8 pikë më shumë se Nice ndjekëse.