Merr fund edhe Aventura e Laçit në Evropë. Bardhezinjtë pësuan një humbje zhgënjyese ndaj moldavëve të Petrocub në “Elbasan Arena” dhe I dhanë fund aventurës në Ligën e Konferencës, duke bërë që tani të mos mbetet asnjë klub i Superiores në Evropë.
Pas barazimit pa gola në Moldavi, pritej shumë nga kurbinasit, që bënë një pjesë të marrë mjaft të mirë dhe kaluan në avantazh me anë të Mentor Mazrekajt, që konfirmoi sërish se po kalon një formë të shkëlqyer.
Në fillim të pjesës së dytë kurbinasit patën dy raste flagrante për të mbyllur llogaritë, por Adeleke dhe Malota shpërdoruan, ndërsa më pas skuadra ranë në gjumë, duke u dhënë mundësi moldavëve të shënojnë plot 4 herë deri në fund.
Me rezultatin e përgjithshëm 1-4, Laçi mbyll kështu aventurën evropiane në mënyrë të papritur, ndonëse përballë kishte një kundërshtar mëse të kalueshëm.
Shkëndija bën detyrën, duke fituar 3-1 ndaj letonëve të Valmierës dhe duke avancuar në raundin e tretë eliminator të Ligën e Konferencës, ku do të përballet me suedezët e AIK-ut.
Kuqezinjtë vinin pas fitores 1-2 në transfertë, megjithatë nuk u mjaftuan vetëm me administrimin, pasi morën një tjetër sukses ndaj Valmierës, duke treguar se janë dukshëm më superiorë se kundërshtari.
Bejtullai, Doriev dhe Ramadani shënuan për kuqezinjtë, që vijojnë të konfirmohen një kockë e fortë në Europë, teksa bashkë me Shkupin e Ballkanin, do të jenë skuadrat e vetme shqiptare që do të vijojnë aventurën evropiane. /ss/