×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Lajçak: Marrëveshja të implementohet deri në fund të vitit, kërkesa e Kurtit që gjithçka të fillojë me njohje de facto jorealiste

    Insajderi
    15 September 2023 - 20:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha se procesi i zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të fillojë këtë vit, përndryshe mund të humbasin disa vite përpjekje.

    Serbia dhe Kosova zhvilluan të enjten në Bruksel një raund të ri negociatash për normalizimin e marrëdhënieve të tensionuara, por nuk arritën të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, paralajmëroi se kjo mund të dëmtojë shpresat e tyre për anëtarësim në BE.

    Në një intervistë për TASR, diplomati sllovak kujtoi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve arriti një “pikë kthese” pasi të dyja palët në shkurt dhe mars në Ohër, ranë dakord për dokumentet thelbësore që çojnë në normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella.

    “Megjithatë, zbatimi i vërtetë i marrëveshjes nuk ka filluar në gjashtë muaj. Të dyja palët kanë një shkallë të madhe mosbesimi ndaj njëra-tjetrës. Ata thonë më jep atë që meritoj dhe pastaj do të bëj atë që është e nevojshme,” e përshkroi situatën Lajçak.

    Ai shtoi se nuk funksionon kështu dhe për këtë arsye BE-ja paraqiti një propozim prej shtatë pikash që lejon të dyja palët të ecin paralelisht. Për shembull, se Prishtina do të fillojë të negociojë garancitë për serbët në veri të Kosovës dhe se Serbia gradualisht do të fillojë të përmbushë obligimet e saj. Sipas Lajçak, propozimi i BE-së është transparent dhe i matshëm, ai mund të ndalet në çdo kohë nëse njëra palë ndalon përmbushjen e detyrimeve të saj.

    https://www.youtube.com/watch?v=Ia4o2VvvTsA

    Ai i cilësoi të vështira negociatat e së enjtes mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Kurti e hodhi poshtë propozimin e ri të BE-së, me të u pajtua edhe Vuçiç.

    “Kurti insiston në një dokument që de fakto të fillojë me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe vetëm më pas të bëjë pjesën e saj të punës, që natyrisht nuk është një rrugë realiste përpara”, shpjegoi Lajçak.

    Ai ka theksuar se në këtë moment nuk është e nevojshme që në emër të BE-së të fokusohet në negociatat e mëtutjeshme me Kosovën dhe Serbinë. Megjithatë, ai po fillon një sërë konsultimesh me vendet anëtare të BE-së, Britaninë dhe SHBA-në, për të cilat do të shfrytëzojë edhe seancën e shtatorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Qëllimi i këtyre konsultimeve është të arrihet në një përgjigje të unifikuar dhe të koordinuar të bashkësisë ndërkombëtare për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

    Lajçak theksoi se është thelbësore që këtë vit të nisë zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Nëse procesi mund të ngrihet dhe të fillojë, ai do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

    “Nëse ato vendime themelore nuk merren para fundit të vitit, kam frikë se kalendari politik në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara do të jetë i tillë që ta shtyjë këtë axhendë në fund. Jam i bindur se marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë. Të dyja palët e pranuan dhe do të ishte turp nëse do të binte në pluhur. Në atë rast presim më shumë konflikte, përshkallëzim të tensionit dhe ndoshta edhe më shumë dhunë në veri të Kosovës”, ka përfunduar ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark