Frika në radhët e Romës dhe trajnerit Jose Mourinho ishte e madhe për dëmtimin që pësoi Paulo Dybala në sfidën me Cagliarin.
Kryeqytetasit i druheshin skenarit më të keq për argjentinasin i cili la fushën e lojës në lot si pasojë e një dëmtimi në gjurin e majtë. Por, kur nuk kanë kaluar 24-orë nga episodi në Sardenja, nga Roma vijnë sinjale pozitive për Dybalën. Sipas mediave italiane, “La Joya” u dërgua në mënyrë sekrete në spital për analizat e detajuar.
Përgjigjet e para çliruan Romën duke qenë se u përjashtua një dëmtim në menisk dhe ligament, që përndryshe mund të përkthehej me një sezon të përfunduar para kohe. Dybala ka marrë thjesht një goditje në ligamentin kolateral dhe pauza e kombëtareve do t’i vijë në ndihmë sulmuesit për të rikuperuar e për të mos humbur shumë ndeshje të Romës. Si rrjedhojë, 29-vjeçari pritet të jetë gati për ndeshjen e radhës të verdhekuqve, atë ndaj Monzas më datë 22 tetor.
Por, pritet që Mourinho të mos e rrezikojë dhe ta lërë pushim jo vetëm për Monzan, por edhe për ndeshjen e katër ditëve më pas në Europa League ndaj Slavias së Pragës. Në këtë formë, Dybala do të jetë gati për ndeshjen e datës 29 tetor në San Siro ndaj Interit. Kështu, frika e madhe i ka lënë vendin optimizmit dhe Dybala tashmë ka nisur periudhën e riaftësimit për t’u rikthyer në formën optimale. /Supersport