×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Lajmërohet deputeti i VV-së që u dënua nga gjykata për mos-deklarim të pasurisë, e fajëson pandeminë

    Insajderi
    28 August 2023 - 14:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni, e ka fajësuar pandeminë për vonesë të procedurave të deklarimit të pasurisë. Hyseni u dënua vitin e kaluar nga gjykata me 500 euro për mos-deklarim të pasurisë.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Hysenin, i cili ka thënë se s’ka dashur ta bëjë të madhe si çështje dënimin e tij, teksa e ka quajtur “të padrejtë” dhe “të pa bazë” vendimin e gjykatës.

    “Ka qenë thjesht një keqkuptim edhe një ngatërrim në dorëzimin e deklaratës së cilës unë e kam deklaruar në vazhdimësi. Prandaj, s’ka pasë bash asnjë bazë. Por, meqë ka qenë ligj e kam zbatuar si të tillë dhe e kam paguar. Ka pasë vetëm pse s’janë deklaruar me kohë, i kam edhe komunikimet kur i kam dorëzuar, por nuk e di pse janë ngatërruar dhe s’kam dashtë as ta bëjë çështje… Kjo ka ndodh në kohën e COVID-it kur edhe ata s’kanë punuar edhe ne i kemi pasë të vështira mënyrat e komunikimit”, ka deklaruar ai ndër të tjera.

    “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se dënimi i Hysenit për mos-raportim të pasurisë ishte marrë më 7 nëntor 2022, derisa aktakuza ishte ngritur më 7 tetor të po të njëjtit vit.

    Në arsyetimin e aktgjykimit ndaj Hysenit, thuhet se ai në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit me rastin e marrjes se detyrës së deputetit.

    Tutje, thuhet se deputeti Hyseni nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit prej 30 ditësh edhe pse ka qenë i njoftuar me kohë nga ana e zyrtares kontraktuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta bërë deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës.

    Në vendim thuhet se gjykata më 7 tetor 2022, ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj Hysenit për veprën penale “Mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” së bashku me shkresat e lëndës.

    Andaj, gjykata duke u bazuar në këto prova, kishte vërtetuar se veprimet e Hysenit përbënin vepër penale të mosraportimit të pasurisë, duke shpallur edhe aktgjykimin dënues.

    Për mos-deklarim të pasurisë më 29 dhjetor 2022 ishte dënuar me 700 euro gjobë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

    Përveç Hajdarit, për veprën e njëjtë penale, më 5 dhjetor 2022 është dënuar me 500 euro gjobë edhe zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark