Futbollisti i talentuar kosovar, Orges Bunjaku ka qëndruar sot në FFK, ku është pritur nga kryetari Agim Ademi dhe KE i FFK-së.
Në këtë takim është zyrtarizuar vendimi i lojtarit për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës.
Bunjaku ka lindur në Zvicër dhe deri tash ka përfaqësuar këtë shtet në të gjitha ekipet kombëtare të grupmoshave.
Megjithatë, tani ka vendosur ta dëgjojë zemrën dhe ta përfaqësojë vendlindjen e prindërve të tij.
20-vjeçari aktualisht luan në kategorinë e dytë të futbollit francez, Grenoble, ku u transferua nga skuadra e njohur zvicerane, Basel.
Ademi e përgëzoi Orgesin për vendimin e marrë dhe i shprehu mirëseardhje në ekipin dardan, derisa falënderoi edhe prindërit e tij dhe të gjithë lojtarëve tjerë që i kanë rritur dhe edukuar fëmijët e tyre në frymën e atdhedashurisë.
Ndërkaq, Orges Bunjaku falënderoi Ademin për interesimin e vazhdueshëm dhe u shpreh i lumtur që në të ardhmen do ta përfaqësojë vendin e prindërve të tij.