Apostolova ka folur në hapjen e Fushatës, fushata e tretë me radhë pas asaj për Arsim dhe asaj për Mjedis organizuar nga BE-ja në Kosovë vitin e kaluar.
“Kjo është fushata e tretë, në të cilën duam që diskutimin ta nxjerrim jashtë kësaj zyre të Gjirafës – një prej kompanive më të suksesshme në Kosovë. Me anë të vizitave tek kompanitë, debateve, garave dhe ndihmës financiare do të mundohemi të vazhdojmë mbështetjen e BE-së në sektorin e ekonomisë në Kosovë, një prej prioriteteve tona” ka treguar mes tjerash në hapje Apostolova.
Vjosa Berisha, Kryesuese e ekipit në Europe House, ka prezantuar videot e Fushatës për Ekonomi ndërsa edhe ka shpallur të hapur garën për ekonomi, ku të rinjtë do të mund të propozojnë idetë e tyre për startups dhe tri idetë më të mira do të shpërblehen.
Mërgim Cahani, themelues i Gjirafa, ka treguar se mbështetja e Bashkimit Evropian nuk ka munguar asnjëherë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe fakti se kjo mbështetje potencohet në çdo rast e bën atë të lumtur si ndërmarrës. Fushata do të zgjasë për shtatë javë ndërsa do të fokusohet në regjione të ndryshme në Kosovë./ Insajderi.com