×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Rasti i Martin Berishaj- LDK kërkon sqarime: A janë përdorur 100 milionët për financimin e fushatës së Kurtit?

    Insajderi
    10 January 2023 - 15:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    LDK ka kërkuar nga Qeveria sqarim rreth raportimeve të mediave sllovene, se ka përfituar miliona euro nga kompania “GEN” për fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri në një konferencë për media të martën tha se “këto shqetësime dyshuese që rendojnë mbi imazhin e vendit duhet të adresohen menjëherë nëse janë të vërteta ose jo”.

    Tahiri tha se hulumtimi i fundit flet për 100 milionë euro, para të cilat janë menaxhuar nga kompania “GEN” e me të cilat sipas tij, dyshohet se është financuar edhe fushata e Albin Kurtit.

    “Ky skandal vetëm po thellohet më tepër. Hulumtimi i fundit flet për 100 milionë euro, para të cilat janë menaxhuar nga kompania “GEN” e të cilat dyshohet se është financuar fushata e kryeministrit Kurti. Ndërkohë që gazeta sllovene shkruan se paratë e GEN-it në Tiranë janë përdorur për të financuar fushatën e kryeministrit Kurti… Andaj LDK kërkon që këto dyshime shqetësuese që rëndojnë mbi imazhin e kryeministrit dhe të Kosovës të adresohen menjëherë nga Qeveria Kurti. A janë të vërteta deklarimet e hulumtimit nga gazeta sllovene? A janë përdorur paratë e GEN-it për të investuar në fushatën e kryeministrit Kurti”, theksoi Tahiri.

    Ndërsa bashkëpartiaku i tij, Visar Azemi, tha se mungesa e materialeve për pasaporta ka bërë që të ketë pasoja për vendin dhe qytetarët. Derisa shtoi se mungesa e pasaportave i ka dëmtuar edhe mërgimtarët, të cilët sipas tij po e rrezikojnë edhe vendin e punës.

    “Çdo ditë ne ballafaqohemi me skadenca të reja të pasaportave në mungesë të aplikimeve të reja për shkak të mungesës së pasaportave. Për këto pasaporta të reja, qytetarët nuk mund të udhëtojnë as për çështje biznesore, familjare dhe as në raste emergjente. Mungesa e pasaportave i ka dëmtuar edhe mërgimtarët tanë të cilët jetojnë në vendet e ndryshme e të cilat drejtohen me kërkesa çdo ditë për dokumente nëpër konsullata, nëpër ambasada të Republikës së Kosovës. Aty po ju rrezikohet puna në vendin ku jetojnë në mungesë të pasaportave”, tha Azemi.

    Ndërkaq, gjatë konferencës Azemi kritika pati edhe për mos emërimin e drejtorit të Policisë së Kosovës.

    “Përveç mungesës së pasaportave ne kemi pa mungesë të realizimit të projekteve kapitale. Po ashtu kjo Qeveri nuk arrin që gjashtë muaj që ta emërojë një Drejtor të Policisë. Pra, kemi të bëjmë me një dëshmi për paaftësinë e këtij pushteti për të qeverisur në të mirën e qytetarëve të Kosovës. Andaj e shohim si të drejtë të kërkojmë dhe të thërrasim Qeverinë e Kosovës në transparencë dhe sqarim që t’iu shpjegojnë qytetarëve të Kosovës se pse po ndodhë një gjë e tillë”, shtoi Azemi.

    I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë takim me këshilltarin e Depertamentit Amerikan Të Shtetit, Derek Chollet, ai tha se për çdo takim do të ketë njoftime.

    Në prill të vitit të kaluar emri i ambasadorit Martin Berishaj ishte përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Lubjanë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark