×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Le të bëhet një Evë e bukur

    Insajderi
    12 July 2023 - 14:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autor: Ndue Ukaj, shkrimtar

    (Mendime për procesin krijues, frymëzimin dhe kohën, të dhënë për revistën letrare “Hejza”)

    Krijimtaria letrare është një lloj misteri në vetvete dhe që nga zanafilla e deri me sot, ka mendime të shumta e të ndryshme rreth procesit krijues dhe frymëzimit si një mister që troket çuditshëm dhe krejt papritur në mendjen e zemrën e autorit, për t’i bërë bashkë këto në procesin shkrimit, në të cilin, përditësohet ideja krijimit si në zanafillë, ku themi: le të bëhet një Evë e bukur që shtanget përballë një peme madhështore, pastaj ndajmë dritën nga terri, jetën nga vdekja, të mirën nga e keqja, engjëjt nga djajtë, etj.

    Zakonisht, kështu më ndodh kur shkruaj poezi: frymëzimi vjen çuditshëm, si një goditje e papritur, si një lloj shkundullimë e fortë dhe më shkund, ndryshe nga ç’ndodh, ta zëmë, kur shkruaj prozë, në të cilën fushë, pasi të frymëzohem nga një ngjarje, vjen procesi kompleks dhe i gjatë i shkrimit: të përcaktosh linjat narrative, strategjinë e rrëfimit, idetë, dhe pastaj përpëlitem, sfidohem dhe përpiqem ta paraqes totalitetin e një tregimi, teme, me degëzime narrative. Pra, frymëzimi në prozë dallon shumë nga ai i poezisë, meqë në poezi më mban edhe pasi ta kem botuar e rilexuar shumë vite pas. Sot, ende kujtoj disa çaste kur kam shkruar disa poezi që i kam për zemër.

    Koha, në kuptimin krijues është një, autentike dhe unike, kurse jemi ne që i japim kuptim, kahe dhe drejtim. Në kohën e sotme, kur ka një rendje pas cektësisë, imazheve, xixëllimave, është sfiduese të shkruash për tema të thella shpirtërore. Por, kur shkruaj, s’mendoj në një kohë specifike, përpiqem të mendoj në kohën si përhershmëri dhe kështu fitoj lirinë krijuese, të pandikuar, të cilën e përdori siç dua vetë, meqë duke krijuar, mëtoj të krijoj edhe kohën time, me shenja specifike. Dhe gjatë procesit të shkrimit, natyrisht ndodhem përpara sfidave të shumta, ngaqë nga thellësia mendjes, zemrës dhe imagjinatës duhet të krijoj një botë të re, sepse çdo krijim është një botë e re, pra duhet të nxjerr të fshehta, të dëftoj, të dëshmoj e të tregoj gjëra që zakonisht janë të çuditshme për lexuesit. Dhe, duke shkruar, mundohem t’i thyej kornizat e realitet, por asnjëherë s’dua ta shkëpus lidhjen mes fiksonit dhe realitet, meqë kjo lidhje është ura esenciale e artit, dhe në këtë drejtim, koha është një konstant e përhershme, ndonëse, siç thuhet, letërsia betejën e saj të madhe e ka me kohën. Duke sfiduar kohën, le të them konkrete, fitoj një lloj lirie të çuditshme, gati absolute, të arratisem në kohë tjera dhe të nxjerr nga deti imagjinar atë që dua, që e ndiej, që besoj se është e vlefshme të thuhet dhe ky është një lloj çlirim krijues.

    Pas botimit të librit me tregime “Mbretëria e ëndrrave” vitin e kaluar, i kam çuar botuesit një përmbledhje me poezi, dhe tani pres lindjen fizike të këtij libri, natyrisht i shqetësuar, duke pritë si do të flasë me njerëzit e kohës në të cilën del në dritë. Dhe ka kohë që po shkruaj një roman që kap fillin e ngjarjeve nga rënia e Murit të Berlinit, kur unë isha një i ri dhe ëndërroja të shkulja kufijtë e mallkuar në tokë, ndërkohë që dëgjoja si shembej shteti i atëhershëm i përbashkët dhe shihja si ngjizeshin kufijtë e ri. Pra, ky roman është një dëshmi e një brezi që ëndërronte lirinë dhe shkuljen e kufijve dhe përshkon dridhmat e një kohe ku frika ishte kryetema e jetës, kurse monotonia e zymtësia politike, hija e madhe që s’linte gjë të rritej mirë, dhe përfundon me çlirimin e Kosovës. Është një proces që përveç frymëzimit, kërkon njohje, të vërtetën ta bartë në fiksion dhe fiksionin ta bëjë të vërtetë.

    Koha e këtij romanit është konkrete, por shtirja e tij është përtej kornizave të një dekade të trishtë, të zymtë, pa liri, ku koha dhe kalendari s’kishin kuptim. Është një rrëfim në të cilën po nxjerr copëza të jetës të së secilit të ri të asaj kohe, të njerëzve të mësuar të jetonin vjedhurazi, tragjeditë që shkakton lufta, vuajtjet, jetën pa liri, dhe kjo kërkon shumë vëmendje, përqendrim e durim, për t’ i dhënë trajtë sa ma universale. /Hejza/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark