Insajderi
Botë

Lëkundje të forta pranë Napolit -Tërmeti 4.7 ballë shkakton dëme dhe ndërprerje të rrymës

Insajderi
31 July 2026 - 23:45
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Lëkundje të forta pranë Napolit -Tërmeti 4.7 ballë shkakton dëme dhe ndërprerje të rrymës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një tërmet me magnitudë 4.7 ka goditur të premten zonën e Campi Flegrei, pranë qytetit jugor italian të Napolit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, pezullim të shërbimeve hekurudhore dhe të metrosë, si dhe dëmtime në disa ndërtesa, njoftuan autoritetet italiane.

Lëkundjet u regjistruan në orën 19:46 (17:46 GMT), me epiqendër në zonën e Campi Flegrei, në perëndim të Napolit, në një thellësi prej rreth 3 kilometrash, sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, raporton Reuters.

Shërbimi italian i zjarrfikësve bëri të ditur se kishte marrë raportime për dëmtime të vogla në disa ndërtesa brenda dhe përreth Napolit, por theksoi se ekipet e emergjencës nuk kishin pranuar kërkesa të menjëhershme për ndihmë apo shpëtim të banorëve.

Si masë parandaluese, shërbimet lokale të trenave dhe metrosë u pezulluan përkohësisht, njoftuan zyrtarët lokalë.

Mediet italiane raportuan se ky ishte një nga tërmetet më të forta të regjistruara ndonjëherë në këtë zonë, ndërsa banorë të disa lagjeve dolën me nxitim në rrugë pasi ndjenë lëkundjet.

Campi Flegrei, një kalderë vullkanike me dendësi të madhe banimi që shtrihet në një pjesë të madhe të Napolit perëndimor, ka përjetuar aktivitet sizmik gjithnjë e më të shpeshtë gjatë viteve të fundit, duke bërë që qeveria italiane të rrisë monitorimin e kësaj zone.

Edhe pse tërmetet e vogla janë të zakonshme në Campi Flegrei, lëkundjet më të forta kanë rritur frikën për një përsëritje të krizës sizmike që goditi zonën në fillim të viteve 1980, kur pati ndërprerje të mëdha dhe mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Tërmetet janë dukuri relativisht të shpeshta në Itali.

Një seri tërmetesh të fuqishme goditën Italinë qendrore në vitin 2016, duke shkatërruar pjesë të rajoneve Lazio, Umbria dhe Marche dhe duke shkaktuar rreth 300 viktima.

Ndërkaq, tërmeti më vdekjeprurës i dekadave të fundit ishte ai me magnitudë 6.9 që goditi zonën e Irpinia-s në Italinë jugore në nëntor të vitit 1980, ku humbën jetën rreth 2.700 persona dhe u shkatërruan qindra qytete.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark