×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Libri i Halil Matoshit shpallet më i miri në Mitingun e Poezisë në Gjakovë

    Insajderi
    21 October 2023 - 21:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Libri poetik “The Lil’s Poem” i Halil Matoshit, botuar nga Shtëpia Botuese “Littera”, është vlerësuar si libri më i mirë në Mitingun e Poezisë në Gjakovë.

    Në organizim të Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, dje u mbajt edicioni i 59 – të, i Mitingut të Poezisë. Përveç prezantimit të “Antologjisë shqip – greqisht i poetëve të Gjakovës” përgatitur nga shkrimtari e përkthyesi Iljaz Bobaj, në orën e madhe letrare poezitë e tyre i lexuan 15 poetë.

    Në fund të këtij festivali poetik juria e klubit letrar “Gj. N. Kazazi” ndau këto çmime:

    – Çmimi “Din Mehmeti” për librin më të mirë të këtij mitingu, iu nda poetit të njohur Halil Matoshi për librin “The Lil’s Poem”, botuar nga Shtëpia Botuese Littera.
    – Çmimi “Ali Podrimja” për poezinë më të mirë të lexuar në këtë edicion të 59 të, i takoi poetit Bekim Kelmendi për poezinë “Ëndërrime”.
    – Çmimi “Yllka Domi” për poeteshën më të mirë debutante, i takoi poeteshës së re Fjolla Muhahaxhiri- Agusholli.
    – Çmimi Ndërkombëtar “Nëna Terezë” që i ndahet poetit më të mirë të huaj që merr pjesë në mitingun e poezisë në Gjakovë, iu ndau poetit amerikan Bill Wollak.

    Libri me poezi i Halil Matoshit “The Lil’s Poem”, botuar para disa muajsh nga Shtëpia Botuese Littera, është mirëpritur nga lexuesit dhe kritika.
    The Lil’s Poem është prezentuar tashmë në disa manifestime kulturore, ndërsa promovimin do ta ketë në muajin nëntor, në Prishtinë.

    Në vazhdim gjeni poezinë The Lil’s Poem, prej nga e ka marrë edhe titullin libri :

    The Lil’s Poem

    Poezia për vrasjen potenciale
    nuk munet me pasë nji titull t’mirë
    Po e quej thjesht Poema e Lilit

    Më 21 maj 1999 nji dyzinë serbë
    me uniforma blu
    e menime të zeza
    rrethuen sh’pinë téme

    hapën dyer me shkelma kundakë
    e shamje
    siç nis çdogjâ në Ballkan

    Bastisje e brimë
    përmbysje orendish
    dhe të secilës ide për njeriun
    si qenie humane

    Ishim të shpërqendruet
    baba 84-vjeç i shihte në sy milicët
    i patrazuem sikur tallej me kohët
    që i ringjâlleshin

    Nâna e shtangun
    m’i kish ngulë sytë nemitun
    si me pa dekën e djalit

    Fëmijtë shikojshin armët e tyne
    unë i shihja të gjithë
    pak çaste para se me i masakru
    me dilemën morale
    që s’mujta me bâ asgjâ për ta

    Grueja ajo mbante fëmijtë përdore
    e herë tanë neve
    si në nji valle të çmendun
    në nji gropë

    unë s’kisha kohë për vete
    po e pajsha nji dramë
    pa epilog

    Mund të ishte Shakespeare-ane
    ata mund të ktheheshin mrena!?

    Mos e bâ Zo’

    u mbyll dera e oborrit
    më qitën jashtë

    Nji revole me fyshekë napalmi
    ma vùni mas kreje
    mâ i riu p’ej tyne

    “Jel si spreman” * m’tha serbisht

    unë u bâna gati
    Ai e shkrepi
    e ndjeva po diqysh nuk bijsha
    e unë e dijsha
    që ato armë ishin të mbushuna
    për ne plot nji shekull

    “Krenemo” ** urdhnoi
    at’herë e kuptova
    se nuk i kish vù fyshekë

    Mas meje metën njerëzit
    e mi hala të gjallë
    dhe tym i dendun me erë mishi
    që dilte nga mbamendja
    ————

    “A je gati”
    “Nisemi

    /ObserverKult/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark