Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin “UBT”.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Aliu, përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook.
“Sot, nënshkruam marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit “UBT”, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore, organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale, konferencave dhe simpoziumeve shkencore, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojave e tregut të punës, si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore”, thuhet në njoftimin e Aliut, shkruan Gazeta Insajderi.
“Kjo marrëveshje e bashkëpunimit është reflektim i zotimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të forcuar bashkëpunimin me universitetet, në këtë rast me UBT – Higher Education Institution, në mënyrë që të jetësohet kjo praktikë në aktivitetet e përditshme të Ministrisë”, vazhdon njoftimi.
Drejtues i kolegjit me të cilin Aliu ka lidhur marrëveshje është biznesmeni Edmod Hajrizi.
Ky i fundit ka qenë anëtar i Bordit në Telekom kur ka nisur themelimi i Z-Mobile, proces ky që më pas ishte kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe nga vetë Liburn Aliu.
Në një konferencë për media, gjatë vitit 2019, Aliu kishte thënë se “Vala e Telekomit ka humbur nga kontrata me Z-Mobile 9-11 milionë euro në vit”.
Ndryshe, me institucioni privat të arsimit më të cilin Aliu ka arritur sot marrëveshje bashkëpunimi, ka edhe një lidhje tjetër.
Aliu merr pagë nga UBT, si ligjerues, qysh nga viti 2017, fakt ky që e vërteton edhe deklarimi i pasurisë së vitit 2021.
Pas publikimit të nënshkrimit të marrëveshjes, është kërkuar një përgjigje nga Agjencia Kundër Korrupsionit për të mësuar nëse ka konflikt të interesit, apo favorizim meqë një ftesë e tillë nuk i është bërë Universitetit Publik “Hasan Prishtina”.
Në AKK, kanë thënë se do t’i trajtojnë këto informata.
“Agjencia kundër Korrupsionit konfirmon pranimin e informatës. Informata juaj do të trajtohet brenda afateve ligjore”, ka bërë të ditur për Periskopin zyra për informim e AKK-së./Gazeta Insajderi
Lexo edhe: