Iljasa Fazliu, logopedi që abuzoi me 3 vjeçaren me autizëm, e cila u dërgua nga familjarët e saj për seanca në klinikën e tij private në Gjilan, është i përfshirë edhe në një skandal tjetër. Gazeta Insajderi merr vesh se ai si kryesues i Komisionit për Licencim të Logopedëve kishte lëshuar 4 licenca të punës në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Gazeta Insajderi, sjell detajet se si me vetëm 3 muaj praktikë 4 logopedë morën licenca nga ai
Logopedi Iljasa Fazliu që u përfshirë në skandalin e fundit të abuzimit me 3 vjeçare me autizëm, dyshohet se është bërë pjesë e dallavereve edhe me lëshimin licenca brenda Ministrisë së Shëndetësisë.
Në pozita e kryesuesit të Komisioni për Licencim të Logopedëve, Fazliu dyshohet se ka lëshuar licenca kundër rregullave të parapara me legjislacioni në fuqi. Vetëm me tre muaj praktik profesionale, ai u ka lëshuar licenca të punës katër logopedëve, shkruan Gazeta Insajderi.
Blenda Halilin, Rinor Vrajollin, Vlera Salihajn dhe Kreshnik Bibajn janë logopedët të cilët u pajisën me licenca të punës pa përfunduar stazhin pasdiplomik në kohëzgjatje të plotë prej gjashtë muajsh. Ata kishin vijuar vetëm 3 muaj praktikë profesionale.
Udhëzimi Administrativ për Edukim themelor profesional dhe provim të licencës për punëtorët shëndetësorë e përcakton qartë se praktika profesionale në periudhë gjashtë mujore të punës si praktikant, është obligative për të gjithë profesionistët e diplomuar shëndetësor.
Por siç merr vesh Gazeta Insajderi, kjo nuk e kishte ndaluar, Iljasa Fazliu që nga pozita e kryesuesit të Komisioni për Licencim të Logopedëve, të marrë vendim kundër këtij udhëzimi administrativ që është në fuqi.
Se logopedët e licencuar nga Fazliu kishin vetëm tre muaj praktike pune, e konfirmojnë edhe nga Ministra e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën Insajderi.
“Kandidatëve Blenda Halili, Rinor Vrajolli, Vlera Salihaj dhe Kreshnik Bibaj, na lejoni që të ju informojmë se nga shkresat e lëndës se këtyre kandidateve ka rezultuar se praktika profesionale nuk është në përputhje me kohëzgjatjen e praktikës profesionale, përshtatshmërisht në pajtim me dispozitat e nenit 5, paragrafi 5, të Udhëzimit Administrativ 04/2006 – Edukimi themelor profesional dhe provimi i licencës për punëtorët shëndetësor”
“Kandidatet në fjalë kanë pasur dëshmi për praktike profesionale vetëm për 3 muaj”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë dhënë Insajderit.
Pas ankesës për licencat e katër logopedëve merret vendimi për pezullim
Ky veprim jashtëligjor i marrë nga Iljasa Fazliu, që ua mundësonte punën katër logopedëve të rinj ishte kuptuar tek pas një ankese që u ishte dërguar Shërbimit Spitalor të Kosovës, Odës së Infermierëve dhe kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë.
Kjo vuri në lëvizje këto tri institucione, që të merren me rastin.
Gazeta Insajderi ka kërkuar të dijë më shumë rreth këtij rasti nga Oda e Infermierëve, se si është e mundur të lejohen që të lëshohen licencat e punës për logopedët pa përfunduar praktikën obligative.
Në këtë insitucion kanë deklaruar se Ministria e Shëndetësisë, ka qenë përgjegjëse për verifikimin e e përmbajtjes së stazhit dhe dokumentacionit tjetër të kërkuar para lëshimit të licencave.
“Lidhur me pyetjen Tuaj se të njëjtit kandidatë nuk kanë përfunduar stazhin pasdiplomik në kohëzgjatje të plotë prej gjashtë muajsh, ju njoftojmë se të gjitha procedurat rreth verifikimit të përmbajtjes së stazhit themelor posdiplomik janë në përgjegjësi të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila përmes trupave dhe mekanizmave të saja duhet të vërtetojë validitetin, kohëzgjatjen dhe përmbajtjen e stazhit e pastaj të lejojë hyrjen në provim profesional të licencës”, thuhet në përgjigjen e Odës së Infermierëve për Gazetën Insajderi.
Për më tepër, nga Oda e Infermierëve thonë se ata nuk kanë të drejtë që të kontestojnë vendimet e ministrisë rreth kompletimit të dokumenteve.
“Në momentin që një kandidat dëshmon që ka kaluar provimin profesional të licencës neve si OIK nuk na lejohet kontestimi i saj ngase sipas Ligjit mbi procedurën administrative dokumentet e lëshuara nga autoritetet publike janë të pakontestueshme derisa të vërtetohet e kundërta”, thuhet më tej në përgjigjen e Odës së Infermierëve të Kosovës.
Pasi që Oda e Infermierëve kishte pranuar ankesën se katër logopedëve u ishin lëshuar lejet e punës nga Iljasa Fazliu, kishin bërë kërkesë në Ministrisë e Shëndetësisë për anulimin e tyre.
“Sa i përket masave, ne me të kuptuar se ka ndodhur ajo për të cilën keni pyetur Ju, OIK ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të anulojë çertifikatën për dhënien e provimit profesional për personat në fjalë”, thuhet në përgjigjen e OIK.
Si rrjedhojë e kësaj, Oda pas konsultimeve me Ministrinë e Shëndetësisë ka marrë vendim për tërheqjen e licencave.
Gazeta Insajderi zbulon se përveç që u ishin tërhequr licencat katër logopedëve, ata janë fshirë edhe nga regjistri i anëtarësisë.
“Po ashtu kemi kërkuar që OIK të njoftohet me shkrim në lidhje me këtë çështje. Pasi është vepruar sipas kërkesës tonë nga ana e MSH-së atëherë kemi nxjerrë vendimet për tërheqjen e licencave si dhe fshirjen nga regjistri i anëtarësisë së Odës për personat në fjalë”, thuhet në përgjigjen.
Blenda Halilin, Rinor Vrajollin, Vlera Salihajn dhe Kreshnik Bibajn pasi që iu tërheq licenca e punës, u detyruan t`i nënshtrohen edhe një herë procedurave të kërkuara me udhëzimin administrative.
Të njëjtit janë detyruar që stazhin 6 mujor ta kompletojnë dhe përsëri t’i nënshtrohen për test të licencës.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Ministria e Shëndetësisë. Në përgjigjen e tyre thuhet se të njëjtin e kanë përfunduar me sukses testin e licencës dhe janë pajisur me certifikata të licencës nga ministria, sipas rregullave të parapara me udhëzim.
“Pas plotësimit të kërkesës së komisionit për provim të licencës, për kompletim te stazhit pasdiplomik dhe përmbushjes së kushtit për provim të licencës, bazuar në planprogramin zyrtar për baqelor të Logopedisë, kandidatet e lartpërmendur i janë nënshtruar provimit për licence të cilin e kanë përfunduar me sukses dhe janë pajisur me certifikata të licencës nga MSh”, thuhet më tej në përgjigjen e MSH-së.
Lidhur me këtë çështje, Gazeta Insajderi ka kërkuar të dijë edhe versionin e Shërbimit Spitalor të Kosovës, por deri në publikimin e tekstit të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje. /Gazeta Insajderi/