×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Historia e abuzimit të Iljasa Fazliut me fëmijën me autizëm – Sa mjekë kosovarë po ndiqen për abuzime me pacientë?

Insajderi
05 December 2022 - 15:38

Prindërit kishin vendosur qe fëmijën e tyre 3 vjeçar të diagnostikuar me autizëm ta dërgonin në një klinikë private. Që të mund të inkorporohej më mirë në jetë, me gjendjen që ka. Më vonë, ata panë shenja se e vogla i tyre nuk po përmirësohej, por po keqësohej.

E vërteta që ata do të zbulonin do ti shokonte. I paraqitur si logoped, Iljasa Fazliu del se kishte abuzuar verbalisht me fëmijën. Aq shumë ishin tronditur, sa krejt situata përfundoi kur prindi edhe e sulmoi fizikisht Iljasa Fazliun.

Krejt ky rast do të mund të mbetej në heshtje, por një raportim i Insajderit e nxori në publik këtë skandal. Pas raportimit, tutje do të ndërhynin organet e rendit.

A është rasti i Iljasa Fazliut rast i izoluar? Rast i vetëm ku punëtori shëndetësor abuzon me pacientin? Apo është ky një fenomen? InDok ka sjell një rrëfim tjetër për këtë fenomen, treguar nga ata që mbikëqyrin punën e mjekëve, nga gazetarë e mbrojtës të te drejtave të pacientëve. Sillen në publik edhe statistika shqetësuese.

Kjo video kishte shokuar shumëkë që e pa. Një paciente e shtruar e sistemuar në një shtëpi për të moshuar po abuzohej nga infermierja. Askush nuk po e ndërpriste. Të tjerat po qeshnin.

Për këtë rast deri tash janë marrë veprime konkrete nga organet e shtetit: Për disa javë në paraburgim kanë qëndruar tri infermieret e përfshira në këtë rast, që po vazhdojnë të hetohen për veprën penale të sulmit: Aurona Pelaj Altina Rexhepi Remzie Kuqi. Edhe biznesi privat ku ato punonin dhe ku u krye sulmi ndaj të moshuarës, “Orande” është mbyllur. Këtij biznesi i është marrë licenca.

“Është fenomen fatkeqësisht, duhet me pranu që është fenonem se raste të izolume mundet me ndodh 1 në vit por këto janë shumë të shpeshta tash, që dalin në media por që lajmërohen tek ne”, ka thënë Pleurat Sejdiu, Kryetar i Odës së Mjekëve.

InDoks ka folur me Kryetarin e Odës së Mjekëve kosovarë, Pleurat Sejdiu. Ai nuk e fsheh që rastet kur punëtorët shëndetësor janë kapur duke abuzuar me pacientë është një fenomen. Nuk janë raste të izoluar dhe nuk janë vetëm ato që publikohen në media.

Për këtë ai ka ndarë me InDoks të dhënat që i ka ndarë edhe me institucione tjera, si Ministria e Shëndetësisë e ShSKUK-ja.

Sipas këtyre të dhënave, nga viti 2018 e deri në fund të nestorit 2022 tek Oda e Mjekëve nga palët janë pranuar 66 ankesa.  Janë nisur me vendim hetime, dhe atë nga vet Prokuroria brenda Odës, në 102 raste. Ky mekanizëm brenda Odës, për katër vite ka hetuar plotë 105 raste. Aktualisht në Prokurorinë e odës janë nën shqyrtim 16 lëndë.

Po ashtu, edhe Këshilli i Etikës brenda Odës ka pasur boll punë. Sipas raportit që e ka InDoks, për katër vitet e fundit në këtë Këshill, nga institucione të ndryshme janë dërguar 69 raste, kurse vet Prokuroria e Odës ka dërguar në Këshillin e Etikës ka dërguar 71 raste. Këshilli Etik ka pranuar në total 160 raste, kurse aktualisht ka në shqyrtim 4 raste.

Në Odë ekziston edhe Gjyqi i nderit, dhe ky mekanizëm ka pranuar dhe ka shqyrtuar plotë 30 raste.

Oda nuk ka pranuar që të ndaj me publikun asnjë emër.

Nga Oda e Mjekëve kosovarë nuk është bërë publik asnjë emër i ndonjë mjeku që punën nuk e ka kryer siç duhet.

Derisa Sejdiu fajin ia hedh menaxherëve të institucione publike shëndetësore, ai nuk është kursyer të flas edhe për rastin e logopedit Ilasa Fazliu nga Gjilani, për të cilin një hulumtim i Insajderit zbuloi se i njëjti madje ishte avancuar në pothuajse njeriun kryesor për logopedi në QKUK, derisa ai nuk kishte as licencë.

Për këtë skandal, Insajderi ka tentuar për ditë të tëra që të marrë përgjigje nga Shefja e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu, por e njëjta nuk kishte dhënë një përgjigje.

Derisa po raportohej për rastin e Iljasa Fazliut, e sidomos mungesën e licencës, dy tendenca ishin bërë për shfajësim: Një, ShSKUK-ja desh ia vu fajin Odës së Infermierëve që nuk i ka lajmëruar, kurse e dyta, Ministria Shëndetësisë një herë tha që ai ka licencë, por nga kjo Ministri. Kreu i Odës së Mjekëve kosovarë ka sqaruar më shumë për InDoks.

“Këto janë problemet të mëdha, të cilat janë duke ndodhë. I kemi paralajëmru edhe Ministrinë e Shëndetësisë, ne, tash e 2-3 vite se këto do të ndodhin për shkak mungesave të akteve nënligjore të cilat ministria është dashtë me i nxjerr, njëkohësisht për shkak vënies në lajthitje nga ana zyrtarëve të ministrisë, profesione të ndryshme dhe tash ne i kemi, një skandal të llojit të vet kur SHSKUK-ja del me një mënyrë akuzon Odën e Infermierëve apo të Mjekëve se nuk e dishin as ata, kur ata janë ata që duhet me ditë ku është adresa që nuk i kanë lajmëru me kallxu që nuk ka licencë…deklarata është vet e pamatur, ata e pranojnë që nuk ka licencë por për këtë fajtorë janë odat pastaj ne reagojmë që nuk është përgjegjësi e jona, ne i lajmërojmë secilin anëtar tonin se një muaj ditë përpara, se pas 1 muaji përfundon licenca dhe është afati optimal që me apliku dhe me i kry gjitha procedurat 1 muajshe. Ne kemi reaguar, dolën pasdite vet SHSKSK-ja, jo e ka licencën e lëshuar prej ministrisë, tash del ministria thotë jo ajo licencë është e skadume dmth këtu është një çështje se ata nuk e kryejnë obligimin e institucionet shëndetësor elementar, kudo në dosje të personelit janë ndër dokumentet kryesore”, tha Sejdiu nga OMK.

“Problemi i presionit publik është me rëndësi në shumicën e rasteve po ajo që kam mujt me pa nuk ka dhezë shumë, e kemi pasur para pak kohësh një rast në Pejë, i cili e alarmoi publikun edhe tash ndodhi edhe një në Gjilan dmth presioni nuk e ka bë efektin e duhur, kjo tregon se ne duhet me diçka tjetër me ndërmarrë, masa është diçka që reagon shumë me zorrë po mashtrohet lehtë. Në Kosovë ki skandal mas skandali që po ndodhi një skandal nesër, e harrojmë këtë të sotit dhe nuk mendoj që kjo do ta zgjidh problemin, esenca është që kemi ardhë me një pikë që MSH duhet ti hyjë një reformë sistemit e cila i rindërton raportet mes profesionistit shëndetësor dhe pacientëve”, është shprehur Kodra

Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e  Pacientëve ka folur për InDoks, dhe në bazë të eksperiencës që ia ka- mendon që tashmë fajtori dihet: Ministria e Shëndetësisë. Këtë Ministri, Qeveria Kurti II tash e disa muaj e ka lënë edhe pa ministër, derisa ministri i fundit që dha dorëheqjeje ishte ranguar haptazi nga publiku si njëri ndër ministra më dembelë të kësaj qeverie.

“E para fajin kryesor e vendosi tek Ministria e Shëndetësisë për shkak se roli i MSH-së në hartimin e politikat dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre që nënkupton se do të duhej të kishte inspektorë pak më shumë, me i inspektu se kush jep shërbime shëndetësore për qytetarët e Kosovës. Dmth po funksionon mirëpo gjeneron fitim me shëndetin e qytetarëve të Kosovës aq më tepër të shtresave që janë jashtëzakonisht të ndjeshme si fëmijët me autizëm dhe MSH fare nuk është e njoftuar se ky njeri ekziston në Kosovë. Ky është problemi kryesor, mandej nëse hyjmë më në thellësi është përgjegjësia e Odave të profesionistëve shëndetësorë sepse nuk kanë bë shumë sa i përket principeve etike dhe profesionale për anëtarët e vet. Ata duhet të sigurojnë që etika të zbatohet në përpikëri dhe të marrin masa ndaj secilit person i cili nuk është i gatshëm me i ndjek principet etike për shkak se kjo e pastron sistemin shëndetësor nga të ashtuquajturit mantel bardhët dhe e pastron figurën e profesionistit shëndetësor përderisa nuk kemi masa ndaj atyre që shkelin të drejtat e pacientëve, komuniteti mendon që të gjithë profesionistët shëndetësorë janë të njëjtë, e cila nuk është e vërtetë, por kjo nuk është punë e komuniteti është e Oda të profesionistëve shëndetësorë, e MSH-së përmes inspektorateve të caktuara”, u shprehe Kodra.

Abuzimi me pacientët nga ana e mjekëve – fenomen në Kosovë?

Gazetari kosovar që merret me raportim në fushën e shëndetësisë, Bujar Vitija, pajtohet që abuzimi i punonjësve shëndetësor me pacientë është duke shkuar në drejtim të shndërrimit në fenomen – diçka për të cilën Kreu i Odës së Mjekëve veçse e quan fenomen tashmë.

“Fatkeqësisht është duke u zhvillu në atë drejtim, duke u bërë një fenomen sidomos në sektorin publik, ku pacientët nuk e kanë trajtimin më t ë mirë të mundshëm nga stafi mjekësorë. Duhet të theksojmë se megjithatë shumica e mjekëve të infermierëve e bëjnë punën si duhet edhe në situata më të rënda, ata gjenden pranë pacientëve mirëpo një numër i tyre i tejkalojnë të gjitha kompetencat e tyre dhe të gjitha sjelljet normale ndaj qytetarëve, pasi nuk ka llogaridhënie, nuk ka përgjegjësi nga menaxherët e institucioneve qoftë publike qoftë private, në kuptimin që vartësit e tyre të kenë sjelljen dhe kujdesin e duhur ndaj pacientëve qoftë në komunikim, qoftë në trajtimin e tyre”, ka thënë Vitija.

Vitija që drejton me mediumin e specializuar për raportim në shëndetësi, Gazeta Shneta, ka folur edhe për një anë tjetër të skandalit me Iljasa Fazliu, i cili derisa po përgatitje ky emision ishte në paraburgim. Masë e ngjashme është shqiptuar edhe për dy të dyshuarit për sulmin fizik ndaj tij, njëri prej të cilëve, prindi i fëmijës 3 vjeç.

Për këtë e kemi rastin më të freskët atë të logopedit, e kemi rastit të SHSKUK-së e cila nuk ka qenë përgjegjëse sa i përket këtij rasti. Logopedi i cili ushtron dhunë ndaj vajzës 5 vjeçare ka punu pa licencë në QKUK, ka punu poashtu në ordinanca e tij gjë që do të duhej të merreshin masa nga Inspektorati Shëndetësor dhe MSH mirëpo papërgjegjësia më e madhe ndodhë tek menaxhmeti i SHSKUK-së, e cila nuk e marr përgjegjësinë për të marrë masa ndaj tij, U.d drejtoresha e ka kompetencë të saj që të suspendojë cilindo punëtorë shëndetësorë i cili, përballet ose kryen më saktë vepra të tilla, mirëpo ajo këtë përgjegjësi nuk e ushtron në këtë rast, dhe është e çuditshme sepse kujtojmë që ka qenë pikërisht drejtoresha e cila e ka avancu logopedin e ka bërë shef në Klinikën e ORL-së dhe aq më tepër, ndonëse e ka bërë vet shef në rastin e skandalit e hedh përgjegjësinë tek drejtori i klinikës që të marrë masa ndaj tij dhe poashtu i përfshinë edhe Odat e Profesionistëve Shëndetësorë në njëfarë përgjegjësie se nuk i ka njoftu me kohë se x – profesionistit i ka skadu licenca e punës, që është një pa përgjegjësi totale e menaxhmetit të SHSKUK-së dhe po ashtu ka raste të tjera që edhe ODAT në fakt nuk është se e kryejnë punën e tyre siç duhet, me i qu këto raste deri në fund që përfundimisht këtyre profesionistëve shëndetësorë të ju hiqet licenca së paku për një periudhë, në mos për gjithë jetën e tyre”, tha Vitija.

Derisa Besim Kodra nga organizata që merret me mbrojtjen e të drejtave të pacientëve flet për nevojnë e heqjes së disa punonjësve shëndetësor nga ky sistem, po për fenomenin e abuzimit eventual me pacientë, a ka ndodhur kjo deri tash?

“Ne insistojmë që duhet të ketë dënime ndaj secilit që nuk është i gatshëm me ndjek principet etike dhe profesionale, kjo i ndihmon edhe komuniteti por edhe atij mjekësor për shkak se e pastron figurën e mjekëve, mjekët s’janë gjithmonë ata që bëjnë problem, janë disa të cilët duhet të hiqen nga sistemi, ose duhet të marrin dënimet në përputhje me shkeljet që i bëjnë, dhe kjo na mundëson neve komunitet me kuptu që janë disa mjekë të cilët marrin dënime, dhe disa që punojnë natë e ditë për shëndetin e qytetarëve përderisa nuk ka dënime ne mendojmë se janë gjithë të njëjtë”.

“Ja asnjë, asnjë dmth e di që nga koha kur ka qenë edhe në ministri ky komision për këtë, ka qenë vetëm njëherë një rast ku iu është marrë për 6 muaj, është suspendu licenca por jo nuk asnjë rast” deklaroi Pleurat Sejdiu, Kryetar i Odës së Mjekëve.

Më shumë se 100 ditë pa ministër të Shëndetësisë

Dikasterin e Shëndetësisë Kryeministri Albin Kurti e ka lënë tash e disa muaj pa Ministër. Me ushtrues detyre ka mbetur edhe ShSKUK-ja. Dhe, për rastin e abuzimit me fëmijën me autizëm në Gjilan këto institucione tentuan që ti iknin përgjegjësisë. Madje, edhe përgjegjësisë që shefja e re e ShSKUK-së po leokopedin abuzues, Iljasa Fazliu e kishte avancuar në detyre më nënshkrim të saj.

Komisioni parlamentar për Shëndetësi ia kërkoi dorëheqjen Pranvera Zejnullahut, dhe kryetares së bordit të ShSKUK-së, Dafina Gexha. Ato heshtën. Iu ikën edhe mediave.

Dorëheqja iu kërkua pasi që dhjetori i këtij viti nisi me një rast tronditës. Një grua shtatzënë u vra nga ish-burri i saj para Klinikës ku po priste që të sillte në jetë një fëmijë.

Deri tash ka mbetur e pasqaruar se pse nuk u mor ajo grua e goditur me tre plumba që të çohej në një sallë emergjence. As nuk u shtrua në sallën e maternitetit që kishte disa hapa tutje, e as në Emergjencën e QKUK-së që ishte më pak se 50 metra tutje. As nuk u tentua që së paku të shpëtohej fëmija i saj. U la aty. Madje për më shumë se një orë.

Derisa gruaja shtatën u vra, bashkëshorti i saj dy ditë më vonë po ashtu kreu vetëvrasje. As pas dy ditësh nuk janë sqaruar rrethanat se a mund të bënin diçka mjekët në atë rast. Një raport autopsi është bërë. Trupi i saj tashmë është varrosur.

Derisa organet e rendit të sqarojnë, nëse ndonjëherë do të sqarojnë, se a mund të bënin gjë mjekët për rastin e gruas shtatzëne që u vra nga ish-burri, një pyetje mbetet ende pa përgjigje- çka mund të bëhet për punonjësit shëndetësor që qëllimisht abuzojnë me pacientë? Për ata që e shkelin etikën? Për ata që rrasën nëpër afera korruptive e në dëm të pacientëve?

“Kjo situatë pa ministër veç sa po e rëndon pa përgjegjësinë e institucioneve, dmth ndodhin skandale në një kohë kur ne nuk kemi ministër të Shëndetësisë, e i cili së paku do të mund të merrte përgjegjësi qoftë për situatë ne krijuar qoftë në shërbimet shëndetësore publike apo ato private, do të thotë ne kemi një situatë ku qeveria e lë sektorin pa ministër dhe kësisoj nuk kemi as ku të kërkojmë përgjegjësi, e kemi një U.D në Ministrinë e Shëndetësisë një U.D në SHSKUK pra nuk e kemi një person me mandat të plotë, i cili mund të marrë përgjegjësinë për tejkalimin e këtyre situatave dhe kjo është një pa përgjegjësi e radhës nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Pacientëve.

“Ne gati krejt shteti ne kemi me ushtrues detyre sidomos sektorin e shëndetësisë prej ministrit, drejtoreshën e SHSKUK , kryeinspektorin, Agjencioni për Produkte Medicionale të gjitha thuajse i kemi me ushtrues detyre, kjo tregon për seriozitetin e institucioneve që e kanë me sistemin shëndetësor dmth njëra prej arsyeve kryesore pse njerëzit po ikun prej këtu është shëndetësia. Njëra prej arsyeve kryesore pse mjekët po ikun prej këtu janë kushtet e punës, që po na tregon se në një të ardhme të afërt ne kemi me pasë më shumë telashe se sa kemi tash në shëndetësi“, potencoi Kodra.

Sektorin publik apo privat – ku është më i shprehur keqtrajtimi nga mjekët ndaj pacientëve

Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës e gazetari i Shëndetësisë, Bujar Vitija kanë deklaruar se ky fenomen është më i theksuar në sektorin publik, ndërkohë Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës

“Jo defenitivisht në sektor publik, por janë pa arsyetime, krejt çka them tash nuk janë arsyetime të këtyre akteve, por janë një mori faktorësh të cilët sjellin ne së paku mendojmë sjellin deri këtu konflikte në sektorin faktorët të cilët nuk ekzistojnë në sektorin privat”, tha Sejdiu.

“Në fakt është një situatë jo e re sepse mungesa e një komunikimi normal të punëtorëve shëndetësorë në përgjithësi qoftë me pacientët qoftë me familjarët e tyre ka qenë në vazhdimësi. Prej gjërave bazike, ku pacientët kanë mungesë të informacioneve qoftë edhe për operacionin, ka raste kur vet pacienti nuk e di se te cili mjekë do të bëhet operacion, që është një e dhënë elementare për pacientin. Është e drejt e tij të ketë këto informacione“, tha Bujar Vitija.

Vitija ka parë që problemi nis e zhvillohet tutje mes pacientëve e punonjësve shëndetësor nga një here edhe nga mungesa e komunikimit normal. Nga mungesa edhe e ofrimit të të dhënave, që në fakt është dashur që punonjësit shëndetësor të ua jepnin pacientëve, familjarëve e shoqëruesve të tyre. Një lloj arrogance e mjekëve është ajo shkëndija e pare e konflikteve- e deri tek rastet ku punonjës shëndetësor pastaj kalojnë në abuzim.

Me këtë po pajtohet edhe Kodra.

“…ne nuk jemi në një pozitë, nuk i kemi detyrat e përgjithësitë e qarta në sistemin shëndetësor shtojë kësaj që edhe vet mjekët nuk i njohin të drejtat e pacientëve, nuk i njohin obligimet që i kanë ndaj pacientit kryesisht janë të fokusuar në aspektin profesional, që është mirë por që duhet ta njohin edhe administrim e pacientit, kur ia shton krejt këtyre probleme që i përmenda deri tani që shëndetësia ka filluar të rrëshqet nga shëndetësia publike në shëndetësi të tregjeve ku po komercializohet thuajse çdo gjë i ka prishë raportet mes profesionistëve shëndetësor e pacientëve vazhdimisht kanë akuza të ndërsjella dhe ndodhin ankesat e pacientëve”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Pacientëve.

Një logoped u kap me prova duke abuzuar verbalisht me një fëmijë 3 vjeçar me autizëm. Audi-incizimi që e ka publikuar të plotë Insajderi e tregon krejt historinë, abuzim ky që kishte shokuar aq shumë familjarët sa që përfunduan duke e rrahur logopedin.

Skandali për këtë rast u thellua aq shumë sa që doli që i njëjti, pa licencë, kishte klinikën e tij private e në QKUK ishte avancuar pak muaj më parë. Menaxhmenti i ShSKUK-së ende nuk ka marrë masa për këto veprime: avancim pa licencë e madje edhe lejim për të punuar po në institucion publik pa licencë. Kjo pasi që ky vendim u mor nga njeriu kryesor në këtë institucion, Pranvera Zejzullahu.

Abuzimi fizik me të moshuarën në një biznes privat në Pejë tashmë ka rezultuar me mbylljen e tij, dhe për një kohë edhe paraburgosjen e tri infermiereve të përfshira në rast, por a ishte ky rasti i vetëm i kësaj natyre? Një hetim që po vazhdon mund të jep përgjigje. Ose jo.

Të dhënat e Odës së Mjekve tregojnë që për katër vitet e fundit mbi 150 raste janë hetuar nga Prokuroria e kësaj Ode. Por, asnjë punonjësi shëndetësor deri tash nuk i është marrë licenca përgjithmonë. Asnjë të vetmi.

Derisa abuzimi i punonjësve shëndetësor me pacientë tashmë edhe nga Oda e Mjekëve konsiderohet si fenomen, por largimi i abuzuesve nga sistemi mbetet zero, kush do të ndërhyjë në ndaljen e këtij fenomeni?

Për vite me radhë dikasteri i shëndetësisë është injoruar nga qeveritë e kaluara, një fakt që u dëshmua kur goditi pandemia Covid-19. Mungonin edhe shtretërit në fillim. Pacientët pjesën më të madhe të kohës vet i kanë blerë ilaçet. Madje ka pasur probleme serioze edhe me vet furnizimin me oksigjen.

Derisa u la si anash nga qeveritë e kaluara, në Qeverinë e dytë të Kryeministrit Albin Kurti sektori i shëndetësisë nuk shihet askund në prioriteti. Tash e disa muaj madje nuk është emëruar as Ministri, e ShSKUK-ja udhëhiqet me ushtrues detyre, dhe po ashtu një sërë institucionesh tjera shëndetësore kanë të njëjtin fat. Kush do ta ndal fenomenin e abuzimit të punonjësve shëndetësor me pacientë?

/GazetaInsajderi

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark