×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Ligji i ri për Turizmin, një pikënisje thelbësore për zhvillimin e turizmit në Kosovë

    Insajderi
    27 June 2022 - 16:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ligji i ri Nr. 08/L-074 për Turizmin i miratuar nga Kuvendi I Kosovës dhe publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 15/2022 më 13.06.2022 i cili shfuqizon Ligjin nr. 04/L-176 për Turizmin si dhe Ligjin nr. 03/L-027 për Taksën e Akomodimit në Objekte Hotelerie dhe Turistike, përcakton më specifikisht parimet, standardet dhe rregullat bazë për zhvillimin dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm në Kosovë, duke qenë plotësisht në përputhje me Direktivën përkatëse të BE-së. Me qëllim të zbatimit të këtij ligji, Ministria nxjerr aktet nënligjore në afat prej dymbëdhjetë (12) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.  

    Një ndër risit qe sjelle ky ligj ka të bëjë me detyrimin për agjencitë organizatore të udhëtimit që të pajisen me leje për ushtrimin e veprimtarisë së agjencisë organizatore të udhëtimit pranë Ministrisë përgjegjëse për Turizmin. Ligji parasheh që kjo leje lëshohet për një periudhë të pacaktuar të vlefshmërisë. Por, sa I përket formës, kritereve, procedurave të aplikimit, taksave administrative, themelimin e komisionit për shqyrtim të kërkesave dhe ankesave do të përcaktohen nga Ministria përkatëse me akt nënligjor. Për më tepër, agjencitë e udhëtimi që do pajisen me leje po ashtu duhen të sigurojnë në vazhdimësi, përgjatë gjithë kohëzgjatjes së veprimtarisë së tyre përmbushjen e detyrimeve të tyre kontraktuale ndaj palëve të treta përmes garancisë bankare ose policës së vlefshme të sigurimit.  

    Ndër të tjera, ja vlen të përmendet që ky ligj i ri vendos një kornizë ligjore dhe përkufizon veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik. Gjë që nuk ekzistonte nën ligjin e vjetër. Tani, për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik, kandidati duhet të bëhet pjesë e Regjistrit të Turizmit dhe duhet t’i plotësoj këto kushte : të ketë kualifikim universitar ose profesional për udhërrëfyes turistik apo në fushën e turizmit; të mos ketë qenë i dënuar për vepra penale të kryera me dashje; të ketë njohuri dhe të ushtrojë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik në pajtim me kodin e etikës; të ketë njohuri të njërës nga gjuhët zyrtare dhe të paktën një gjuhë të huaj që do të përdoret në kryerjen e shërbimeve të udhërrëfyesit turistik. Ligji po ashtu përcakton që një udhërrëfyes turistik I huaj nuk mund të ushtroj këtë veprimtari nëse nuk është I regjistruar në Kosovë apo nëse nuk është I shoqëruar nga një udhërrëfyes turistik I regjistruar në Kosovë. Kushtet dhe kriteret tjera dhe kodi i etikës për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik do të përcaktohen me akte nën-ligjore.   

    Për më shumë ky Ligj mbi Turizmin thekson gatishmërinë e shtetit që përmes strategjisë shtetërore të planifikon zhvillimin e turizmit në Kosovë. Përmes aksioneve të brendimit turistik të Kosovës, Kosova do të ketë një identifikim sa më të mirë si destinacion turistik.  Zhvillimi i turizmit përmirëson “dukshmërinë” e vendit në skenën ndërkombëtare, gjë që nxit edhe shqyrtimin e problemeve të tij të brendshme dhe hapjen e tij ndaj botës. Turizmi kontribuon në aktivitetin ekonomik në shumë mënyra dhe mund të nxisë zhvillimin social me krijimin e vendeve të punës.  

    Me qëllim të implementimit të këtij ligji, gjithmonë duke garantu cilësi dhe profesionalizëm, do të ishte mirë sikur Ministria të propozoj Qeverisë një strategji shtetërore të zhvillimit të turizmit në dialog me operatorët ekonomik që ushtrojnë veprimtari në fushën e turizmit, për të bërë realizimin e saj sa më të mundshëm dhe më të afërt me realitetin vendor.

    Nga: Leonora Beka-Mehmeti
    Konsulente ligjore,Kalo&Associates

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark