Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka deklaruar se, me hyrjen në fuqi të ligjit për Gjykatën Speciale, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa duhet të sillen në Kosovë për ta vuajtur dënimin.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Limaj përmendi nenet përkatëse të ligjit, të cilat, sipas tij, e parashohin një mundësi të tillë.
Ai u bëri thirrje avokatëve të Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës që, menjëherë pas nënshkrimit të ligjit nga Presidentja dhe hyrjes së tij në fuqi, të paraqesin kërkesë për transferimin e tyre në Kosovë.
“Veprimi i parë që duhet me e ba, kqyre, atë ditë që ta nënshkruan presidentja ligjin edhe të futet ligji… Po dua me ua drejtu një porosi avokatëve të Salih Mustafës edhe të Pjetër Shalës: nga ajo ditë, thirrni avokatët e juaj me bë kërkesë me ju pru në Kosovë, se qeshtu e thotë ligji”, tha Limaj në “Rubikon” të Klan Kosovës.
Limaj iu referua neneve 15, 16 dhe 17 të ligjit, duke theksuar se procedurat mund të nisin që nga dita kur ligji hyn në fuqi.
“Neni 15, 16, 17 i këtij ligji që është miratuar, nëse do edhe ta lexoj, e thotë që menjëherë në ditën e futjes në fuqi të këtij ligji, nga ajo ditë munden me fillu procedurat…”, deklaroi ai.
Më tej, Limaj citoi nenin 16 të ligjit, i cili, sipas tij, përcakton se dënimet me burgim të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara mund të vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Kqyre, neni 16 i këtij ligji thotë: dënimi me burgim i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara, vuajtje vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës”, tha Fatmir Limaj.