Nisma Socialdemokrate ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit. Në qytetin e Lipjanin, lideri i Nismës, Fatmir Limaj iu bëri thirrje gjithë qytetarëve dhe kategorive të dala nga lufta që të rreshtohen nga partia e tij për të pasur, siç tha zërin e çlirimtarëve në Kuvendin e Kosovës.
Para qindra qytetarëve që ishin mbledhur në një restauruan në periferi të Lipjanit, Limaj tha se Nisma do të jetë befasia e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Sot iu ftoj të rreshtohemi së bashku në fitoren e re. Sot më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për zërin e çlirimtarëve në Kuvend, sot më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për njerëz që kanë interes mbrojtjen e atdheut[…] Do të jemi befasia më e madhe e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Këtë ne po e shohim, kjo është kthyer në një lëvizje, solidaritet njerëzit e kanë kuptuar këtë kauzë. Ata e dinë se në parlament duhet urtësi, dije nevojë dhe vendosmëri” , tha ai.
Krahas kësaj, Limaj tha se Nisma do të garantojë që zëri dhe fryma e çlirimtarëve të ruhet brez pas brezi.
“Ne jemi këtu për të garantuar së zëri dhe fryma e çlirimtarëve do të jetojë brez pas brezi[…]Ne jemi garancia dhe siguria që nuk bëjmë kompromise me vlerat tona kombëtare. Ne ushqejmë dhe promovojmë vlerat e gjitha atyre burrave dhe grave që kanë sjell lirinë që e kemi sot”, u shpreh ai.
Limaj në ditën e parë të fushatës zgjedhore, adresoi akuza edhe ndaj PDK-së, duke e quajtur liderin e tyre partiak, Enver Hoxhaj si person i cili nuk ka shpirt luftarak të UÇK-së.
“Nuk mundet të drejtojnë dhe quhen liderë ata që vazhdojnë dhe rrinë në prapavijë. Mbi të gjitha nuk mund të quhen burrështetas ata që flasin mobilizim për interesa të ngushta të tyre[…]Mos i dëgjoni të tjerët, ata kanë fjalë, kanë infrastrukturë dhe matematika që ne si kemi. Por ne i kemi disa gjëra që nuk blihet pa i pasur vet. Atyre iu mungojnë disa gjëra, atyre iu mungon drejtuesi, gatishmëria dhe shpirti luftarak. Pasi ata as nuk kanë udhëhequr dhe nuk dinë si të bëhet një betejë”, tha ai.
Ndërsa sekretari i Nismës, Bilall Sherifi tha se partia e tyre, përveç të kaluarës çlirimtare ka edhe vizion për të ardhmen. Ai duke shpalosur disa pjesë nga programi i tyre, premtoi rimëkëmbje ekonomike dhe vaksina falas anti-Covid nëse Nisma vjen në pushtet.
Ndërkohë premtoi edhe rritjen e pagës minimale në 300 euro deri në vitin 2022, kurse veteranëve iu garantojë se me anë të ndryshimeve ligjore atyre krahas mbështetjes financiare nga shteti, do t’iu mundësohet edhe të punësohen.
“Ne nuk jemi vetëm partia e çlirimtarëve, por edhe ndërtuesve të djeshëm dhe sotëm. Kemi një të kaluar qe jemi krenar që e mbrojmë me kujdes dhe fanatizëm. Por ne kemi edhe vizion për të ardhme. Ne kemi njohuri dije dhe guxim për të realizuar atë. Ne kemi një plan për të tashëm, për jetën tonë të përditshme që ma është kthyer prapa jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të jostabilitetit politikë[…]Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të mbrojtur shëndetin e ekonomisë dhe vendit tonë nga pandemia. Vaksina do të jepet falas[…]Në mesin e shumë tjerave ne do të realizojmë pagën minimale në 300 euro deri në vitin 2020. Ne do iniciojmë një sistem të ri pensional për pensione dhe rritje të pensioneve…Ne do të lejojmë me ligj që gjithë veteranët qe marrin mbështetje financiare nga shteti të kenë edhe të drejtë pune”, tha ai.
Sot është hapur fushata zyrtarë zgjedhore e cila do të zgjasë deri më datën 12 shkurt.