Policia e Kosovës ka iniciuar rast penal ndaj një personi në Lipjan, nën dyshimin për mbajtje të paautorizuar të armës dhe dëmtim të pronës.
Sipas njoftimit policor, më 28 dhjetor 2025 në stacionin policor në Shtime është raportuar rasti i dëmtimit të pronës, ku dy krerë bagëti (dhi) janë dëmtuar nga qentë e një personi të dyshuar, për të cilin po ashtu ishte raportuar se posedonte armë gjuetie.
Pas veprimeve hetimore, më 4 janar 2026 policia ka dalë në vëzhgim në fshatin Pjetërshticë, ndërsa rreth orës 10:00 i dyshuari është hasur në fshatin Krojmir të Lipjanit. Pas identifikimit, ai ka pranuar veprat dhe ka deklaruar se posedonte armë gjuetie pa leje, e cila është konfiskuar nga policia.
Gjatë kontrollit, është konstatuar se automjeti me të cilin lëvizte i dyshuari nuk ishte i regjistruar që nga viti 2021. Automjeti është konfiskuar dhe ndaj tij është shqiptuar gjobë për kundërvajtje.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar procedurë penale për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” dhe “Dëmtim apo asgjësim i pronës”.
I dyshuari B.O. (36 vjeç) është liruar në procedurë të rregullt hetimore.