Klubi i futbollit Liria insiston se Feronikelit ’74 duhet t’i hiqen deri në nëntë pikë. Klubi nga Prizreni pretendon se Feronikeli ’74 ka bërë shkelje esenciale të rregulloreve të FFK-së me angazhimin e gjashtë lojtarëve në ndeshjen për Kupë kundër Trepçës ’89. Liria edhe nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka kërkuar që Feronikelit ’74 t’i hiqen deri në nëntë pikë dhe të merren masa tjera ndaj personave zyrtarë. Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Liria i është drejtuar më 28 shkurt. Javën e shkuar, Komisioni i Apelit kishte refuzuar ankesën e Lirisë.
E ka vlerësuar të pabazuar ankesën e Lirisë, ndërsa ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Garave të 14 shkurtit.
“Komisioni i Apelit ka refuzuar ankesën e paraqitur nga KF Liria me arsyetimin se nuk jemi mbështetur në nenin 58, por 64. Ne në ankesë shumë qartë i kemi cekur shkelje të dy neneve, nenin 64 dhe 67 të Rregullores Disiplinore e jo vetëm nenin 64. Në këtë rast, përveç nenit 58, ashtu sipas Komisionit të Apelit kemi të bëjmë me shkeljen e neneve 64 dhe 67 të Rregullores Disiplinore, ngase lojtarët e aktivizuar janë paraqitur pa të drejtë loje”, shkruan në ankesën e Lirisë drejtuar KE të FFK-së.
Madje, Liria ka paraqitur disa raste që sipas klubit prizrenas janë të njëjta me rastin e ndeshjes Feronikeli – Trepça ’89. Feronikel 74 kishte humbur në tavolinë ndeshjen me Trepçën ’89, pasi kishte aktivizuar lojtarë të paregjistruar. Tani klubi prizrenas kërkon që Feronikeli ’74 të dënohet me marrje pikësh. Dy klubet luajnë në Ligën e Parë.