×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Lirohet nga akuza për korrupsion ish-drejtori komunal i Shtërpcës

    Insajderi
    11 September 2023 - 11:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për korrupsion, Dimitrije Reciçeviq, ish-drejtor pranë Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Shtërpcës.

    Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri, nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” është refuzuar akuza, pasi që prokurori gjatë shqyrtimit gjyqësor është tërhequr nga akuza për këtë vepër penale.

    I dëmtuari Vehbi Salihu, është udhëzuar në kontest civil, ndërsa shpenzimet e procedurës bien në barrë të kësaj gjykate.

    Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2020, Dimitrije Reciceviq ngarkohet se nga 18 nëntor 2015 e deri më tani, në Shtërpcë, në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor pranë Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Shtërpcës, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm personit tjetër në rastin konkret të dëmtuarit Vehbi Salihu.

    Në aktakuzë thuhet se edhe përkundër faktit se sipas vendimit të 13 tetorit 2018 i lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka qenë i obliguar që të njëjtit t’ia lëshojë lejen ndërtimit meqë i ka plotësuar të gjitha kushtet për leje në parcelën në vendin e quajtur “Orlovica”, në sipërfaqe prej 300 m2, e cila udhëhiqet me certifikatën e pronës, i njëjti me dashje nuk kryen detyrat e tij të domosdoshme të përcaktuara me ligj, duke i kërkuar të dëmtuarit që të plotësojë edhe disa kushte të tjera e të cilat kushte nuk iu janë kërkuar pronarëve të tjerë në parcelat në afërsi të dëmtuarit, të cilët veç kanë ndërtuar objektet e tyre.

    Me këtë, i njëjti ngarkohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, nënparagrafi 2.2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

    Sipas pikës së dytë të aktakuzës, gjatë periudhës kohore si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, në Shtërpcë, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor pranë Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Shtërpcës, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme i ka mohuar të drejtat e parapara me Kushtetutë, ligj dhe akte nënligjore të dëmtuarit Vehbi Salihu.

    Në aktakuzë thuhet se këtë e bëri në atë mënyrë që të njëjtit nuk i ka lëshuar leje të ndërtimit në parcelën në vendin e quajtur “Orlovica”, edhe përkundër faktit se i njëjti i kishte plotësuar të gjitha kushtet e parapara për leje ndërtimit, përderisa personave të tjerë nën të njëjtat kushte ua ka dhënë favore dhe iu ka mundësuar ndërtimin e vilave në të njëjtin vend, duke cenuar kështu barazinë dhe të drejtat e qytetarëve.

    Me këtë ka kryer veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 193, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark