×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Lirohet nga arresti shtëpiak kushëriri i deputetit të VV’së, i akuzuar për fajde në rastin Brezovica

    Insajderi
    05 October 2023 - 15:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Themelore në Ferizaj e ka liruar nga arresti shtëpiak biznesmenin Ajaz Muzaqin, kushëririn e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqit, i dyshuar për veprën penale fajde, kanosje dhe shmangie nga tatimi në rastin e njohur si “Fajdeja”.

    Sipas raportimit të Betimit për Drejtësi, “të dyshuarve Ajaz Muzaqi, Ardi Saraqi dhe Nexhmi Abazi, iu është zëvendësuar masa e arrestit shtëpiak me masën e ndalimit për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar nga data 26 shtator 2023 deri më 25 tetor 2023”.

    Gazeta Insajderi kishte raportuar në mars të këtij viti për afërsinë e biznesmenit Ajaz Muzaqi me deputetin e VV-së, Besim Muzaqin. Biznesmeni i dyshuar për fajde kishte shpërndarë një fotografi me deputetin Muzaqi.

    Si u pati përfshirë në fajde biznesmeni Ajaz Muzaqi?

    Gazeta Insajderi pati raportuar se sipas dosjes së Prokurorisë, Ajaz Muzaqi dhe Ardi Saraqi, pronar të autosallonit ‘Buna M’, me seli në Vushtrri dyshohet se janë të përfshirë në veprimtarinë e fajdeve.

    Për Ajaz Muzaqi dhe Ardi Saraqi ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2020, e në vazhdim, si pronarë të auto sallonit “Buna M”, me seli në Vushtrri, kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër.

    Të njëjtit duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit, Samir Bajrami, si pronar i ndërmarrjes ndërtimore “Ornela”, për shkak të vështirësive financiare, si pasojë e pandemisë nga virus Covid-19, si dhe obligimeve nga pagesat e fajdeve për personat tjerë, në pamundësi që të paguaj këto obligime, është detyruar ta blej një veturë të markës ,,Mercedes S’, nga i pandehuri për çmimin prej 50 mijë euro, mirëpo për shkak të obligimeve ndaj personave tjerë për të paguar fajdet, është detyruar t’ia shes Lavdrimit për çmimin prej 28 mijë euro, duke pësuar dëm prej 22 mijë euro.

    Po ashtu thuhet për të njëjtit se ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2022, e në vazhdim, si pronarë të auto sallonit “Buna M”, me seli në Vushtrri, kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër.

    Ashtu që duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të të dëmtuarit Samir Bajrami, si pronar i ndërmarrjes “Ornela”, ku për shkak të vështirësive financiare, si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19, si dhe obligimeve nga pagesat e fajdeve për personat tjerë, në pamundësi që të paguaj këto obligime, i njëjti është detyruar ta blej një veturë të markës “Audi”, nga i pandehuri për çmimin prej 60 mijë euro.

    I dëmtuari për shkak të obligimeve ndaj personave tjerë për të paguar fajdet, është detyruar t’ia shes përsëri të pandehurit, për çmimin prej 42 mijë euro, duke pasuar dëm prej 18 mijë euro.

    Kërcënim me vrasje dhe shamngie nga tatimi – akuzat e rënda të Prokurorisë ndaj Ajaz Muzaqit

    Në dispozitivin e nëntë të dosjes së Prokurorisë, thuhet se për Ajaz Muzaqi dhe Mujë Ademi ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2020 në Vushtrri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, me kanosje serioze kanë detyruar të dëmtuarit Besim Gashi dhe Samir Bajrami që të paguajnë shuma të parave në dëm të pasurisë së tyre.

    Në atë mënyrë që paratë që i kanë dhënë me fajde i kanë kanosur seriozisht se do tu shkaktojnë ndonjë të keqe ose do t’i vrasin.

    Kjo pasi që të dëmtuarit për shkak të vështirësive ekonomike nuk arrinin që ti kthenin me kohë shumën e parave në emër të fajdes dhe shumën që e kishin marrë në shërbim, kështu që ishin detyruar të marrin para me fajde tek personat e tjerë me qëllim që ti kryejnë pagesat ndaj të pandehurve, të cilit kanë pësuar dëm pasuror në shuma nga 20 mijë deri në 100 mijë euro.

    Me këtë të njëjtit ngarkohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Detyrimi “nga neni 328 par. 2 te KPRK-së.

    Po ashtu thuhet se për Ajaz Muzaqi dhe Ardi Saraqin ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2020 në Vushtrri, në bashkëkryerje kanë kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për persona të tjerë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të shkaktuar nga pandemia si pasojë e virusit “Covid – 19”.

    Në atë mënyrë që i dëmtuari Samir Bajrami si pronar i ndërmarrjes tregtare “Ornela” në Fushë Kosovë, për shkak të obligimeve ndaj personave tjerë për fajde, është detyruar të blejë nga auto-salloni ” Buna M’ në Vushtrri, disa vetura në vlerë prej 400 e 61 mijë euro në afat pagese prej tre – katër muaj, të cilat vetura kanë pasur vlerën shumë më të ulët të tregut dhe është detyruar qe ti shesë për çmimin prej 300 e 50 mijë euro, duke pësuar dëm pasuror në çmim prej 100 e 11 mijë euro.

    Me këtë të njëjtit në bashkëkryerje dyshohen për kryerjen e veprës penale “Fajdeja” nga neni 331 par. 3 lidhur me par 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

    Tutje, në dizpozitivin e dhjetë thuhet se për Ajaz Muzaqi dhe Ardi Saraqin ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2020 në Vushtrri, me qëllim që ti shmangen pjesërisht pagesës së tatimit për të përfituar rimbursimet tatimore, si bashkëpronarë të auto-sallonit “Buna-M”, në atë mënyrë që me rastin e shit -blerjes së veturave, pagesën e kanë bërë me para kesh, duke shënuar vlera jo të sakta të mallrave të shitura, të cilat para pastaj i kanë përdorur për kryerjen e veprës penale “Fajdeja”, me çka kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shuma disa mijëra euro.

    Me këtë të njëjtit ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi “ nga neni 307 par. 1 lidhur dhe nenin 31 te KPRK-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark