×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Llapi licencohet, pesë lojtarë pretendojnë se u ka mbetur borxh

    Insajderi
    19 May 2022 - 13:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Klubi i futbollit Llapi mburret që për herë të gjashtë rresht ka marrë licencën për pjesëmarrje në kupat evropiane. Llapi ka njoftuar se ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për pjesëmarrjes në garat kontinentale në edicionin 2022/2023, përkatësisht në Ligën e Konferencës.

    Certifikimin për pjesëmarrje në garat evropiane e bën Departamenti i Licencimit të klubeve për garat e UEFA-s i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

    Por licencën e dhënë nga FFK-ja, Llapit ia kontestojnë ish-futbollistë të tij. Disa lojtarë thonë se janë habitur se si FFK-ja ia ka dhënë licencën Llapit, me gjithë borxhin që ata lojtarë pretendojnë se ua ka klubi.

    Ankesë në FFK për borxhin e pashlyer të Llapit kanë paraqitur Mentor Zhdrella, Ahmed Januzi, Ahmet Haliti, Liridon Leci dhe Muhamet Hyseni.

    KOHA ka siguruar kërkesat e pesë lojtarëve që janë bërë në Komisionin për Statusin e Lojtarëve në FFK.

    Lojtarët kanë konfirmuar kërkesat drejtuar FFK-së. Edhe Llapi pohon se ka proces të hapur me lojtarët, ndërsa FFK-ja hesht. Ushtruesi i detyrës i sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodaj, ka thënë se çdo pyetje duhet t’i adresohet Zyrës për media të FFK-së. KOHA nuk ka marrë përgjigje në pyetjet e dërguara javën e shkuar e po ashtu të mërkurën .

    Lojtarët kanë paralajmëruar se për borxhin shpejt do t’i drejtohen FIFA-s.

    Përfaqësuesi i ish-futbollistit, Liridon Leci, avokati Edis Kuraja, ka dyshime se qëllimshëm është bërë zvarritja e procesit për shlyerjen e borxheve.

    “Klubi i futbollit Llapi e ka një obligim ndaj Liridon Lecit në shumën prej 11 mijë eurosh. Ne i jemi drejtuar Llapit që t’i përmbushë obligimet, por klubi ka heshtur. Pas heshtjes i jemi drejtuar edhe Federatës së Futbollit të Kosovës me një kërkesë të veçantë që ta zgjidhë këtë çështje, sepse Federata zgjidh kontestet në mes të klubit dhe lojtarit. Federata na ka ftuar disa herë, por Llapi ka prolonguar edhe me pëlqimin e komisionit. Në fund kanë vendosur që shuma totale të jetë rreth 6 mijë euro. Shkalla e parë e ka aprovuar pjesërisht, ndërsa Llapi ka ushtruar ankesë. Është refuzuar ankesa e tij dhe ka mbetur në fuqi vendimi i shkallës së parë. Llapi ka ushtruar ankesë edhe në vendimin e shkallës së dytë, që është e ndaluar sipas dispozitave të rregulloreve të Federatës. Qëllimi ka qenë zvarritja e procedurës”, ka thënë Kuraja.

    Kuraja i është drejtuar me shkresë zyrtare FFK-së më 10 maj. Ia ka kujtuar FFK-së se asnjë klub nuk mund të licencohet nëse ka obligime financiare.

    “Është e habitshme si Llapi është licencuar, kur brenda rregulloreve klubi që nuk i përmbush kriteret nuk mund të licencohet. Është një çështje në vete se si është e mundur kjo. Do t’u drejtohem FIFA-s dhe komisioneve të FIFA-s që të bëjnë zgjidhje, sepse Federata e ka shkelur rregulloren e brendshme kur e ka licencuar Llapin. Pastaj do t’i drejtohem Gjykatës me padi. Federata është e thirrur të kujdeset për lojtarët dhe klubet, por meqë nuk po përkujdeset i jep një imazh të keq futbollit të Kosovës”, është shprehur avokati Kuraja. Ai thotë se prej tetorit të vitit të kaluar është nisur ky proces.

    Kërkesa e Zhdrellës është parashtruar më 10 mars të këtij viti. E Muhamet Hysenit më 23 gusht të vitit të kaluar, derisa e Ahmed Januzit dhe Ahmet Halitit është bërë më 3 mars të këtij viti. Të gjitha kërkesat janë të protokolluara nga FFK-ja, por vendim nuk ka ende.

    Leci pretendon për borxh të klubit prej 11 mijë eurosh. Zhdrella në kërkesë thotë se Llapi nuk ia ka paguar 1.550 euro dhe premion prej 10 mijë eurosh. Hyseni pretendon për paga të papaguara prej afro 9 mijë eurosh. Januzi i kërkon nga Llapi 10 mijë euro në emër të premios, derisa Haliti i kërkon 1.750 euro për pagë dhe 5 mijë euro premio.

    Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, tregon se me rastin e lojtarëve është duke u marrë avokati i klubit. Ai thotë se e drejta i takon klubit.

    “Ata kërkojnë një premi ku në kontratë ceket që nëse nuk marrin pjesë në gara të Evropës, nuk u takon. Dhe, përndryshe asnjë obligim nuk e kemi. Ne jemi licencuar. Ne nuk kemi asnjë problem. Ata kanë dëshirë t’u kemi borxh, por ata kanë pasur kontrata deri më 1 korrik të vitit të kaluar, ndërsa nuk kanë ardhur në klub dhe në gara të Evropës. Kontrata shumë qartë e precizon mospjesëmarrjen në garat e Evropës. Nuk i takon shpërblimi Ahmet Halitit as në gara vendore dhe as ndërkombëtare, sepse nuk e ka luajtur asnjë ndeshje. Ata kanë drejt të kërkojnë diçka, ne kemi drejt t’ia dëshmojmë me kontrata se nuk u takon. Me këtë çështje është duke u marrë avokati i klubit”, ka thënë Batatina të mërkurën për KOHËN.

    Borxhe ndaj lojtarëve e ish-lojtarëve kanë disa klube të Superligës. Momentalisht gjendja më e keqe vlerësohet të jetë te Prishtina, Feronikeli e Drenica.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark