×
  • Lajme
  • Sport
  • Hulumtime/Analiza

    Lloçi i “Fadil Vokrrit” që e bëri “horë” Kosovën, Agim Ademi ia hedh fajin kompanisë që e mirëmban stadiumin

    Insajderi
    13 November 2023 - 15:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lloçi e jo rezultati në fushë ishte kryetema nga ndeshja Kosovë-Izrael. Ndonëse Kosova triumfoi në kualifikimet “Euro 2024”, imazhi ndërkombëtar i saj u dëmtua si shkak i kushteve të mjerueshme të fushës së stadiumit që mban emrin e legjendës së futbollit “Fadil Vokrri”. Stadiumi i kombëtares, në të cilin kombëtarja e Kosovës nxori pikë edhe nga Zvicra, u barazvlerësua me “stallë derrash” nga një lojtar i Izraelit. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ia ka hedhur fajin tek kompanisë mirëmbajtëse të stadiumit.

    Gazeta Insajderi kërkoi një qëndrim nga kryetari i FFK-së lidhur me kritikat që u shigjetuan në drejtim të federatës për gjendjen e stadiumit, megjithatë ai refuzoi të përgjigjet. Ademi tha se po e pret raportin nga kompania mirëmbajtëse e stadiumit, teksa kërkoi që të bisedohej me ta për baltën e stadiumit të kombëtares.

    “Për këta është mirë me i thirrë ata që merren me këtë punën e barit, është ekipa atje, ata janë duke punu dhe mundet me folë dikush prej tyre. Tash na te shohim për çka ka ardhë deri tek ajo, duhet me e pritë raportin, tani e shohim çka thonë raportet”, deklaroi ai.

    Insajderi paraprakisht dërgoi email për sqarim nga FFK-ja për të pyetur se kush është kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e stadiumit, por s’mori përgjigje deri në publikimin e artikullit. Edhe numri zyrtar që figuron në uebfaqen e FFK-së nuk ishte i qasshëm.

    Mediumi të hënën pyeti edhe drejtorin e Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugovën, për çështjen e përgjegjësive të stadiumit dhe emrin e kompanisë që mirëmban stadiumin, por i njëjti tha se do të dalë me një njoftim së shpejti.

    “Lidhur me pyetjen tuaj, Komuna e Prishtinë do të del me një njoftim zyrtar”, tha shkurtimisht Rugova përmes një përgjigje me shkrim.

    Lojtari më i njohur i Izraelit, Eran Zahavi pas ndeshjes e krahasoi fushën në stadiumin “Fadil Vokrri” me stallë derrash.

    “Ishte më shumë stallë derrash se fushë futbolli. E kemi ditur se nuk do të jetë lehtë në secilën situatë dhe nuk morëm pikë sonte. Do të japim çdso gjë në ndeshjet me Zvicrën dhe Rumaninë”, deklaroi ai.

    Në anën tjetër, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli, tha se fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” është imazhi më i keq që i servohet botës për shtetin e Kosovës.

    “…Shi bie edhe më shumë në Evropë, po kësi fushë moqali nuk sheh as në stadiumet e ligave të katërta. Kjo fushë është imazhi më i keq që servohet botës për shtetin të Kosovës”, deklaroi ai në ‘Facebook’.

    Izraelitët shfaqën pakënaqësi disa ditë më herët përpara ndeshjes me Kosovën. Mediumi izraelit ‘Sport5’ ka publikuar foto nga stadiumi, duke e vlerësuar si të tmerrshme gjendjen e fushës.

    “Gjendja e barit në stadium është e turpshme, plot vrima dhe e papërshtatshme për lojëra në këto nivele”, deklaronte gazetari i mediumit.

    Kosova e mposhti 1:0 Izraelin të dielën në një ndeshje kualifikuese për Euro 2024 nën masa të rrepte sigurie në Prishtinë, e cila ishte e para për kombëtaren izraelite prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit terrorist palestinez Hamas.

    Sulmuesi Milot Rashica ishte golashënuesi i golit të vetëm, i cili bëri dallimin në një mbrëmje të ftohtë me shi dhe në një fushë të përbaltur në kryeqytet, e cila ua vështirësoi të luajturit futboll të dy ekipeve.

    U21-shat e Kosovës do t’i presin ata të Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri” të martën e ardhshme. Gjatë kësaj dite, parashihet të jetë mot me shi. Mbetet të shihet nëse gjendja e stadiumit do të jetë njësoj e mjerueshme, apo do të bëhet ndonjë intervenim. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark