×
  • Sport
  • Sport

    Lojtari i Lazios sheh tmerrin me sy në mes të Beogradit, i vendosin armën në kokë dhe i masakrojnë agjentin e tij

    Insajderi
    23 October 2023 - 12:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Adam Marusic, i tronditur nga terrori. Ai luajti, sfidoi dhe markoi Berardin, duke mbajtur brenda vetes frikën e madhe që përjetoi në mbrëmje, pas ndeshjes Serbi-Mali i Zi, kur Uros Jankovic, menaxheri i tij, u rrah brutalisht para syve të futbollistit të Lazios.

    Marusic, sipas dëshmisë së Jankovic, të raportuar nga faqja “vijesti.me”, një nga më të rëndësishmet në Mal të Zi, kishte ndërhyrë për ta mbrojtur atë dhe ishte kërcënuar me një armë në kokë: “Më sulmuan mua, Marusic, gruan dhe nënën e tij.

    Disa agresorë më goditën me armë në kokë dhe pjesë të tjera jetësore të trupit tim. Thyeva mollëzën e faqes dhe këmbën e majtë. Më transferuan në Qendrën Klinike në Beograd, ku u operova”.

    Marusic ishte duke darkuar në një restorant në Beograd pas ndeshjes së luajtur kundër Serbisë. Të martën ishte ditëlindja e tij, po festonte 31-vjetorin e lindjes me gruan, motrën dhe Jankovic. Në dalje të restorantit iu kishin zënë pritë agresorët. Jankovic vazhdon rrëfimin e frikshëm:

    “U gjendëm të rrethuar nga disa makina. Shoferi im u përpoq të largohej, më pas u godit nga një makinë që vinte nga ana e kundërt. Nuk arrita të hipja as në automjet, më sulmuan nga pas. Një nga agresorët u kthye nga Marusic duke i drejtuar armën në drejtim të kokës dhe gjoksit të tij për ta penguar atë të më ndihmonte, ndërsa po më rrihnin brutalisht. Nëna e tij, një grua 60-vjeçare, u shty dhe u plagos”.

    Jankovic akuzoi dy persona për sulmin. Po zhvillohen hetime për dy djemtë e Zvezdan Terziç, drejtorit të përgjithshëm të Crvena Zvezda, të dyshuar si pjesëmarrës në përleshje. “Ju mund t’i shihni qartë në video”, – është një tjetër pasazh nga intervista me agjentin e Marusic. Vëllezërit Terziç janë marrë në pyetje në prokurorinë e Beogradit, por u vetëdeklaruan të pafajshëm.

    Në të kaluarën kishte pasur konflikte mes familjes së të dyshuarve dhe agjentit të mbrojtësit të Lazios. Uros Jankovic, i cili është gjithashtu një nga menaxherët e Milinkovic Savic, donte të falënderonte Marusic për guximin e tij: “Adam është një hero, pa të do të kisha rrezikuar jetën time”.

    Marusic ka mbajtur gjithçka brenda vetes për të mos ndikuar në ditët para ndeshjes së Lazios në “Mapei Stadium”. Sarri e aktivizoi në të majtë të mbrojtjes bardhekaltër për të frenuar Berardin. Adam, ende i tmerruar, e kapërceu veten me një përpjekje heroike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark