Dani Carvajal i Real Madridit ishte plot lëvdata për Gavin pas fitores së Spanjës kundër Norvegjisë e cila u solli atyre kualifikimin në EURO 2024.
“Gavi? 19 vjeç, titullar për Barçën dhe ekipin kombëtar… ka shumë pak për t’u thënë. Ai është një gjeni”, është shprehur Carvajal para gazetarëve.
Gavi ishte protagonist kryesor në fitoren e Spanjës ndaj Norvegjisë pasi shënoi golin e vetëm të takimit për të ‘prerë’ biletën e kualifikimit për vendin e tij.
Por përveç golit, Gavi tregoi paraqitje të mirë edhe në aspektet e tjera të lojës, pasi regjistroi 2 pasime kyçe dhe pati një saktësi pasimi prej 95%.
Ai ishte i kudondodhur në fushë duke ndihmuar ekipin mjaft shumë edhe në fazën defanzive.
Talenti 19-vjeçar bëri debutimin e tij me kombëtaren, në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve kundër Italisë më 6 tetor, duke u bërë lojtari më i ri që përfaqëson ndonjëherë Spanjën.
Deri më tash ai ka regjistruar 24 paraqitje me fanellën e “La Roja”, duke shënuar katër gola.